Florentino Pérez habiti me qartësinë e tij në intervistën e dhënë për “El Chiringuito”. I pyetur për Vinicius (21 vjeç), presidenti i Real Madridit zbuloi se autori i golit të finales së Ligës së Kampionëve, që e dërgoi këtë trofe për herë të 14-të në “Bernabeu”, kishte marrë oferta stratosferike, por nuk ishte vënë në dilemë për të qëndruar në kryeqytetin spanjoll.
Nga klubi theksojnë se, nga të gjitha propozimet, më mbresëlënësja dhe joproporcionalja i erdhi nga PSG, ndonëse Florentino ka preferuar të mos e pëmendë emrin e rivalëve parizienë, që e mposhtën në garën për Mbappe.
Madje, burimet sigurojnë se telefonatat për sulmuesin brazilian kanë qenë të vazhdueshme që nga nëntori i vitit 2021. Mesazhi është përsëritur gjithmonë, duke i kërkuar me ngulm Vinicius të mos rinovojë në Madrid. Për këtë i dhanë një shifër të parë të paarritshme për Real Madridin dhe që do ta merrte nga viti 2024: plot 40 milionë euro neto për sezon. Kjo shumë është përkatësisht katërfishi i pagës së tij aktuale dhe të ardhshme.
Në bisedime u përfshinë edhe premtimet për një bonus bujar transferimi dhe një sërë mundësish biznesi në Katar, nga ku u trajtua çështja. Florentino Pérez dhe José Ángel Sánchez vlerësojnë shumë faktin se ata ishin të vetëdijshëm për lëvizjet në çdo kohë. Imazhi, pra, që ata kanë për Vinicius është i patëmetë jo vetëm në nivel futbollistik dhe profesional, por edhe personaliteti e vlerash besnikërie.
PSG u përpoq me të gjitha mënyrat të zhvillonte një takim kokë më kokë, por nuk ndodhi kurrë dhe ndeshja në raundin e dytë të Champions League nuk ndihmoi. Shenjat që lëshoi numri 20, pavarësisht respektit dhe mirënjohjes ndaj kërkuesve të tij, u kuptuan si jo shumë shpresëdhënëse brenda drejtuesve të klubit francez.
Edhe pse shifra e parë ishte marramendëse dhe në këto negociata nuk është zakonisht ajo përfundimtare, ata verifikuan se marrëdhënia e Vinicius me Real Madridin ishte shumë e fortë për ta prishur. Në mars, për këtë skenar, ndodhi kontakti i fundit.
Ish-lojtari i Flamengos konsideron se Real Madridi është në krye të futbollit botëror, siç e kujton pothuajse në çdo dalje publike. Prandaj, u ka përsëritur gjithmonë agjentëve të tij, edhe në pikat e veta më të ulëta, se nuk do t’i marrë parasysh ofertat që vijnë për të. Muajt e fundit, në derën e tij kanë trokitur edhe Liverpool, Chelsea e Manchester United, duke hasur të gjithë të njëjtën përgjigje negative.
E vetmja mundësi që Vinicius të dëgjonte dikë nga jashtë ishte përmes një propozimi fillestar për rinovim nga Real Madridi, që ai e konsideronte të padrejtë, sepse do ta tensiononte procesin. Por, edhe pse në destinacione të tjera mund të paguhej më shumë, braziliani u ndje i vlerësuar dhe rruga drejt rinovimit, ku mungon vetëm dërgimi dhe shqyrtimi i dokumenteve dhe firma, ka qenë në harmoni të plotë.