Aktorja e njohur e humorit, Delinda Disha ndau disa muaj më parë lajmin e trishtë se ka humbur të dy binjakët e saj.
Nëpërmjet një postimi në Instastory, aktorja e humorit ndau këtë moment të vështirë për të me ndjekësit, duke treguar gjithashtu se nuk po e kalonte mirë psikologjikisht këtë periudhë.
Delinda ishte e ftuar në media ku ka folur së fundmi për këtë periudhë të vështirë të jetës së saj dhe suportin e madh që mori nga familja apo personat që kanë kaluar të njëjtën dhimbje si ajo. Aktorja u shpreh se ajo se partneri i saj e dëshironin shumë të kishin një fëmijë të dytë.
“Ne i dëshironim shumë ose e dëshironim shumë një fëmijë të dytë, ta zgjeronim familjen tonë, dhe nuk ishte një ishin dy. Por fatkeqësisht kjo gjë nuk ndodhi dhe zgjati shumë pak, vetëm tre muaj. Është dashur mbi një muaj që të marr veten, por nëse do ta përshkruaj me fjalë tamam, e kam ngrënë veten me dhëmbë në sensin e mirë të fjalës. Kur shikoja Dasantinin që rritej çdo ditë, që edhe ai më jepte suport, Eldo në mënyrë të padiskutueshme, familja ime, dhe ja ku jam sot. Më kanë bërë përshtypje mesazhet pafund që më vinin, nuk isha e vetmja që e kisha kaluar këtë gjë”- rrëfeu ajo.
Mes lotësh, Disha tregoi se ka qenë një ngjarje që i është dashur mbi 1 muaj ta kalojë. Gjatë asaj periudhe Dishës i duhej të ngjitej në skenë dhe aty ka kaluar sfidën më të madhe në jetën e saj ku ka luajtur në teatër rolin e një gruaje që kishte humbur fëmijët.
“Më qëlloi pak vështirë sepse në atë periudhë po merresha me një shfaqje dhe personazhi që unë interpetoja në teatër edhe ajo humbte fëmijët e saj pësonte dështime dhe aty ka qenë një një monolog që mua më ka tretur… një monolog shpirti do e quaja. Kam qenë dhe në Klaniforia për të xhiruar por ja ku jam jeta vazhdon”- shtoi aktorja.
Nga ana tjetër, aktorja tha se nuk ishte penduar që e kishte bërë publike shtatzëninë, pavarësisht asaj që ndodhi sepse ndonjëherë është më mirë të tregosh të vërtetën dhe “të mos jetosh një gënjeshtër”.
“Jo nuk pata asnjë moment që të pendohesha sepse ishte shumë e rëndë kur mua vazhdonin të më pyesnin dhe ishte shumë e vështirë dhe ndoshta ndonjëherë duhet marr guximi ta tregosh të vërteten dhe ta pranosh atë furinë e madhe të njerëzve që kërkojnë, të ngushëllojnë dhe të thonë një fjalë të mirë sesa të jetosh me një gënjeshtër”.