E ardhmja e procesit izraelito-palestinez të paqes është në pikëpyetje ndërsa Izraeli përgatitet të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor në javët e ardhshme. Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas thotë se i ka dhënë fund të gjithë bashkëpunimit të sigurisë me Izraelin.
Ushtria izraelite ka shtuar gadishmërinë e saj përpara 1 korrikut, data kur Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se do të bëhet aneksimi.
Nga qyteti i Ramallahut në Bregun Perëndimor, Presidenti Palestinez Mahmoud Abbas bëri një njoftim dramatik kohët e fundit në përgjigje të planeve të Izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor.
“Organizata për Lirinë e Palestinës dhe Shteti i Palestinës janë të liruar, që nga sot, nga çdo detyrim i të gjitha marrëveshjet dhe mirëkuptimet me qeverinë amerikane dhe izraelite dhe nga të gjitha detyrimet e bazuara në këto mirëkuptime dhe marrëveshje, përfshirë sigurinë”.
Palestinezët tashmë kanë hedhur poshtë Planin e Paqes të Presidentit amerikan Trump, të parashtruar në janar. Tani, ata e shohin këtë aneksim të njëanshëm si sfidën më serioze të procesit të paqes.
“Aneksimi në 2020-ën do të thotë të pranosh fenomenin politik se “forca bën ligjin”, se në se kam forcën ushtarake mund të detyrojë gjithçka dua në terren. Gjithashtu është një tregues i qartë nga ana e Izraelit se i ka dhënë fund përpjekjeve për të negociuar për një marrëveshje dypalëshe me palestinezët. Kjo do të thotë praktikisht mbyllja.e dyerve ose përpjekje për të mbyllur dyert për një zgjidhje me dy shtete”, thotë analisti Sam Bahour.
Bashkimi Evropian dhe organe të tjera ndërkombëtare e kanë bërë të qartë se Izraeli gjithashtu do të paguajë një çmim të lartë diplomatik, si për çdo aneksim.
“Kjo bie ndesh me ligjin ndërkombëtar, shkel marrëveshjet ekzistuese dhe nuk përputhet me rezolutat ndërkombëtare të Këshillit të Sigurimit dhe konkluzionet e Komisionit të Bashkimit Evropian. Për ne, është me shumë rëndësi të respektohet e drejta ndërkombëtare”, tha Sven Kuhn von Burgsdorff, përfaqësues i BE-së në Bregun Perendimor dhe Rripin e Gazës.
Zona e Luginës së Jordanit, të cilën Izraeli planifikon ta aneksojë është tashmë nën kontrollin e sigurisë së Izraelit. Por vetë aneksimi dërgon një mesazh të rëndësishëm politik, sipas disa analistëve izraelitë.
“Është një veprim politik. Ka të bëjë me sovranitetin, por ne e kontrollojmë Luginën e Jordanit gjithsesi. Është gjithashtu e dobishme nga dy aspekte që kanë të bëjnë me sigurinë. Para së gjithash jemi duke u thënë jordanezëve, të gjithë të tjerëve dhe palestinezëve se ne jemi këtu për të qëndruar, se ky është territor sovran izraelit, jo vetëm i pushtuar përkohësisht. Është mesazh për të gjithë ata që kanë një ide për ta larguar Izraelin prej andej se kjo nuk do të ndodhë dhe njerëzit duhet të përshtaten ndaj situatës së re”, tha Yossi Kupperwasser me Qendrën për Marrëdhëniet Publike në Jeruzalem.
Megjithatë, aneksimi mund të shkaktojë një valë sulmesh palestineze ndaj Izraelit, thonë disa analistë – të ngjashme me Intifadën e Parë dhe të Dytë, që la qindra izraelitë dhe palestinezë të vdekur.
“Nuk mund të them me siguri se do të përballemi me Intifadën e Tretë, por jam i sigurt se do të përballemi me një përgjigje nga pala palestineze. Nuk jam i sigurt për Autoritetin Palestinez, por nga rrugët palestineze do të jetë diçka që do të na kujtojë se cili është kuptimi i intifadës. Kjo do të jetë gjithashtu një platformë e mirë për lëvizjen e Hamasit për përshkallëzim, sepse ata do t’i thonë të gjithëve se kishin të drejtë kur nuk hoqën dorë nga rezistenca apo terrori kundër Izraelit”, thotë Shaul Arieli, kolonel në pension me forcat izraelite të mbrojtjes.
Me zgjedhjet amerikane vetëm disa muaj larg, Izraeli po i përmbahet itinerarit të tij të aneksimit. Analistët këtu spekulojnë se nëse Presidenti Trump nuk rizgjidhet në nëntor, Joe Biden nuk do të mbështeste planet izraelite të aneksimit.
Burimi: top-channel.tv