6 Janari, festa që simbolizon ditën e shenjtë të “Ujit të bekuar” përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët ortodoksë.
Në Durrës, këtë vit kryqi është kapur nga 16-vjeçari, Vasil Aleksi nga qyteti i Durrësit, i cili i uroi të gjithë besimarët e krishterë për festën, ndërsa kapjen e kryqit ia dedikoi xhaxhait të tij.
“Sot është një ditë shumë e bekuar për ne besimtarët ortodoksë. Falenderoj Zotin që më ndihmoi për ta kapur kryqin dhe ju uroj shëndet dhe mbarësi në jetët tuaja. Një vit sa më i mbarë për të gjithë. Kapjen e kryqit ia dedikoj xhaxhit për shkak se para më shumë se 1 viti ai ndërroi jetë dhe këtë kryq ia dedikoj vetëm atij”, tha ai.
Në Lushnje, besimtarët ortodoksë morën pjesë në ceremoninë e Theofanisë në Kishën e Shën Dhimitrit të fshatit Mazhaj. Hedhja e kryqit u bë në Lumin Seman. Tre djemë u hodhën në ujë, ndërsa 23-vjeçari Ornel Bushi është i riu i cili për të katërtin vit radhazi kapi kryqin.
Në Korçë hedhja e kryqit u bë në shatërvanin në lulishten ‘Vangjush Mio’ dhe është kapur nga Elvis Rakipi, 21 vjeç.
Në Vlorë, katër të rinj u hodhën në det për të sfiduar veten dhe temperaturat e ulta për gjetjen e kryqit të shenjtë. 19-vjeçari Athanas Davidhi mundi të kapë kryqin, për të cilin është hera e shtatë dhe ja dedikon të gjithë besimtarëve ortodoksë të cilët festojnë këtë ditë të shenjtë.
j.l./ dita