Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për pjesëtarët e fisit Rraja, të cilët dhunuan në mënyrë barbare dy kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja disa muaj më parë.
Për rrjedhojë Prokuroria e Tiranës akuzon pjesëtarët e fisit Rraja për plagosje të lehtë e kanosje ndaj dy kushërinjve Maja.
Grupi ekspertëve me aktin e ri të ekspertimit më 18 Shtator i kanë klasifikuar dëmtimet në kategorinë e plagosjes së lehtë me dashje.
Kujtojmë se shkak për dhunën ndaj Majave është bërë denoncimi në polici prej tyre për shpërthimet në gurore, në pronësi të Përparim Rrajës, vëllait të ish-deputetit socialist Rrahman Rrajës.
Ata kanë deklaruar në komisariat se u janë dëmtuar banesat për shkak të këtyre shpërthimeve. Pas denoncimit, një grup i madh burrash, shumica anëtarë të fisit Rraja, kanë dhunuar me shkopa bejsbolli, grushte e shkelma dy kushërinjtë Maja.
Ngjarja u zbardh pasi në media qarkulloi video e dhunës e filmuar nga vetë dhunuesit.
Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, gjykata ka lënë në burg 3 persona, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes tyre Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit dhe dy vëllezërit e ish-deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.