Emiljano D. dhe Danjel L. janë dy nga dhjetë shqiptarët e dënuar nga gjykata belge për kultivim të kanabisit. Arrestimi i tyre është kryer në muajin gusht dhe ditën e djeshme u vendos se ata do të vuajnë 30 muaj heqje lirie dhe do të duhet të paguajnë 8000 euro gjobë.
Autoritete belge kanë qenë duke hetuar shqiptarët që nga muaji korrik, pasi morën një denoncim nga fqinjët e tyre të cilët kishin ndjerë erë kanabisi.
‘Shtëpia e barit’ ishte ndërtuar në tarracat e zonës Sint-Bartholomeusstraat në Merksem, e cila ishte e përbërë vetëm nga xhama, por për shkak të lënies hapur të një dritareje, policia ndjeu erën dhe vijoi kontrollin fizik.
Gjatë kontrollit në banesë më 3 gusht, u gjet një plantacion me 1501 bimë kanabis të shtrirë në katër dhoma kultivimi dhe u arrestuan 9 persona të moshës nga 21 deri në 43 vjeç dhe një i mitur.
Emiljano D. dhe Danjel L. ishin përgjegjësit për kultivimin e drogës. Përpos dënimit me burg, shqiptarët do të paguajnë edhe 24 mijë euro si dëmshpërblim për vjedhjen e energjisë elektrike.