Kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi se pret që vendi i tij t`i rikthehet në masë të madhe normalitetit nga mesi i muajit nëntor. Me mbi 294,000 të infektuar dhe 45,000 viktima, Mbretëria e Bashkuar është sot një prej vendeve më të prekura nga koronavirusi në botë. Duke folur në Londër në një konferencë për shtyp, Johnson tha se ka besimin që periudha e Krishtlindjeve, në dhjetor, do t`i gjejë familjet sërish të bashkuara.
“Kjo nuk është një periudhë e rëndësishme vetëm për familjet, por edhe për ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar dhe miliona njerëz që punojnë në sektorë me të ardhura modeste. Ne shpresojmë për më të mirën, por përgatitemi për më të keqen”- tha Johnson.
Johnson shtoi se plani i tij mbetet “i kushtëzuar” dhe se sekreti i vërtetë i luftës kundër sëmundjes mbetet “veprimi kolektiv i popullit britanik”.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 13.8 milionë njerëz në mbarë globin, ndërsa viktimat janë më shumë se 590,000. Mbretëria e Bashkuar është e treta në botë për nga numri i vdekjeve, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Brazilit.
Burimi: top-channel.tv