Italia i ka mbyllur kufijtë 13 vendeve, qytetarëve të të cilave nuk i lejohen të hyjnë në fqinjin tonë përtej Adriatikut. Po kështu do të ndalohen edhe personat që mund të kenë qëndruar në këto shtete gjatë 14 ditëve të fundit.
Lista që nis me Armeninë e përfundon me Republikën Dominikane, përfshin edhe dy vende ballkanike: Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën. Me to, ndalohen jo vetëm fluturimet direkte por edhe ato të tranzitit.
Italia po tregohet e kujdesshme me udhëtarët që vijnë prej zonave të konsideruara me rrezikshmëri të larta nga koronavirusi, në të cilat kurba epidemike nuk duket të jetë në rënie. Linja e sigurisë maksimale që po ndjek ministri i shëndetësisë, Roberto Speranza, synon të parandalojë sa më shumë përhapjen e infektimeve veçanërisht prej personave të mbërritur nga jashtë.
“Ka vende në botë ku pandemia është në fazën e vet më akute. Nuk mund të hedhim poshtë sakrificat e bëra prej italianëve gjatë këtyre muajve të fundit”, deklaroi Speranza. Ndonëse Italia vazhdon të shënojë raste të reja dhe vdekje nga Covid-19, ajo kanë pësuar rënie të ndjeshme krahasuar me disa kohë më parë.
Burimi: top-channel.tv