Diva e muzikës, Celine Dion, pas testimit ka rezultuar negative për koronavirusin dhe ka vendosur t’i shtyjë koncertet e saj për shkak të gripit të zakonshëm.
Ylli i hitit “My Heart Will Go On” i ka shtyrë koncertet në Washington, D.C. dhe Pittsburgh të Pennsylvanias të planifikuara për këtë javë, kjo pasi fillimisht i ishte nënshtruar testimit për COVID-19 dhe pastaj ishte këshilluar nga mjekët që të pushojë për ca kohë.
Përmes një postimi në Facebook, ekipi i këngëtares ka bërë të ditur: “Të hënën mbrëma, një ditë pas përfundimit të gjashtë koncerteve në New York, Celine filloi t’i ndjejë simptomat e gripit të zakonshëm. Gjendja e saj u përkeqësua të martën dhe kështu mjekët e këshilluan të pushojë për 7 ditët e ardhshme. Dhe pasi është testuar për koronavirus, mjekët ia kanë konfirmuar se rezultati ka dalë negative për COVID-19.”
Në deklaratën e gjatë të publikuar nga zëdhënësit e këngëtares veteran, u bë e ditur se shtyrja e koncerteve vjen si pasojë e gripit dhe koncertet në fjalë do të mbahen më 18 nëntor të këtij viti.
Ndërsa vet këngëtarja Dion ka deklaruar: “Më vjen shumë keq që po i zhgënjejë fansat e mi në, Washington D.C. dhe Pittsburgh… Shpresoj që e kam mirëkuptimin tuaj.”
Turneu i këngëtares së famshme botërore, planifikohet të vazhdojë me koncertin e 24 marsit në Denver të Colorados.
Muajin e kaluar, 51-vjeçarja Dion i falënderoi adhuruesit për mbështetjen e vazhdueshme që ia kanë dhënë, pas vdekjes së nënës së saj në muajin janar. Humbja e së ëmës erdhi në një kohë kritike për këngëtaren, vetëm dy ditë pasi ajo e shënoi katër vjetorin e vdekjes së bashkëshortit të saj të dashur, Rene Angelil, dhe në të njëjtën ditë kur u shënua katër vjetori i vdekjes së vëllait të saj, Daniel.