Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka pritur sot në takim udhëheqësit e “Iniciativave për Zhvillim të Komunitetit” – CDI, në përbërje Alan Brown udhëheqës i Programit për Furnizim me Ujë të Pijshëm dhe Kanalizime Rurale, dhe Astrit Vokshi, drejtor ekzekutiv i CDI-së.
Kryetari Ballazhi falënderoi në mënyrë të veçantë z. Alan Brown dhe CDI-në për përkrahjen që kjo organizatë po iu jep projekteve të rëndësishme infrastrukturore komunës së Hanit të Elezit, e me këtë rast falënderim të veçantë që CDI ka marrë përsipër funksionalizimin e fabrikës së ujit në fshatin Dimcë.
Përfaqësuesit e CDI-së siguruan se ky projekt do të përfundojë më së largu në muajin qershor.
Ky takim është realizuar disa ditë pasi është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit mes komunës Hani i Elezit dhe kompanisë rajonale “Bifurkacioni” nga Ferizaj.
Ballazhi u zotua se Komuna që ai udhëheqë do të jetë e përpiktë për të gjitha pikat e marrëveshjes dhe se tashmë ka mbetur vetëm që të presin rezultatin e këtij bashkëpunimi tripalësh: Komuna e Hanit të Elezit -Kompania “Bifurkacioni’ – CDI.