Autoriteti Rrugor Shqiptar apelon drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes ndërsa qarkullojnë në akse që paraqesin vështirësi si pasojë e reshjeve të borës.
Sa i takon situatës në akset rrugore, ARRSH njofton se reshjet e dëborës kanë vazhduar gjatë natës në zonat malore të vendit, ndërsa po punohet me borëpastruese për të mbajtur t’i hapura ato.
Postimi i plotë: Kanë filluar reshjet e dëborës edhe në Qafë Plloçë-Kapshticë, Korçë-Ersekë, Libonik-Maliq, Zëmblak-Dogana Goricë, Qafë Mali-Fierzë, Pukë Fushë Arrëz-Kukës ku është punar me mjete borëpastruese dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Në aksin Bogë-Theth në zonën e tuneleve vazhdon rënia e orteqeve duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe pastrimin e rrugës.
Kontraktorët me mjete e punëtorë kanë qenë në terren gjatë gjithë natës në të gjitha akset me prezencë dëbore për të mbajtur qarkullimin në normalitet.
Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.