Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë një interviste të dhënë për emisionin Zonë e Lirë se Komisioni i Rithemelimit do të bëjë hapjen e partisë Demokratike drejt figurave të reja për të sjellë ndryshimin e dëshiruar nga shqiptarët.
Ai shtoi se statute i Kuvendit të 11 dhjetorit bën që vendimarrja e partisë të mos jetë në dorën e kryetarit por të jetë kolegjiale në bazë të organeve të partisë.
“Gjatë historisë së Partisë Demokratike janë larguar ata që nuk kanë pranuar rezultatin e votës. Por me statutin e ri do të kemi një dimesion tjetër që do të shtrihet nga anëtari i partisë deri te kryetari i Partisë Demokratike. Kryetari do të ketë kompetenca më të kufizuara në vendimarrje. Vendimarrja do i kalojë Kryesisë dhe organeve të tjera të cilët nuk do të jenë në varësi të kryetarit por të zgjedhur nëpërmjet votës. Statuti është një rikthim i vlerave demokratike.
Partia Demokratike do të jetë e hapur ndaj vlerave më të mira të shoqërisë civile dhe botës akademike në Shqipëri dhe jashtë saj. Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që emigracioni shqiptar të jetë pjesë e jetës ekonomike dhe politike. Ndryshimi duhet të jetë kryefjala jonë për shqiptarët.
E kërkojnë shqiptarët dhe ne duhet të hartojmë dhe programojmë me të gjithë elementët njerëzor, të paraqesim përpara shqiptarëve ndryshimin që ata duan. Problemi është se ndryshimi nuk sillet me 2 apo 3 persona. Ndryshimi ka të bëjë me një qëndrim ndaj normave dhe demokracisë. Nuk mund të ndërtoj shtet ligjor një parti që shkelmon statutin e saj. Këtu hapja e partisë drejt think-tankeve drejt grupeve përbën një domosdoshmëri që të realizojë programin e tyre”,
tha Berisha.