Që në orët e para të mëngjesit, banorët e ‘5 majit’ po protestojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, të cilat priten të shemben nga IMT, në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban. Banorët në shenjë rezistence, kanë tentuar që të pengojnë policinë që të ndërhyjë, duke refuzuar që të largohen, ndërsa IMT pritet të shembë 12 banesa. Ato janë përplasur edhe me policinë, ku kanë qëlluar me shkopinj e gurë si dhe kanë hedhur shashka në drejtim të efektivëve. ‘Jeni plehra, jeni plehra’, dëgjohen ato t’u thonë efektivëve të policisë.
Pavarësisht rezistencës së banorëve, fadromat e IMT-së, kanë ndërhyrë dhe po kryejnë procesin e shembjes së shtëpive. Për të shpërndarë protestuesit, policia ka hedhur gaz lotsjellës, ndërsa ka shoqëruar banorët Bekim Cerrin, Loreta Nikollin dhe Mirash Markun.
Në zgjidhjen që ka ofruar bashkia, banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor.
Nga ana tjetër, ata që janë prekur nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar dhe kanë filluar nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit. Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re.