Kur qyteti Stepanivka në rajonin jugor ukrainas të Hersonit u pushtua nga forcat ruse në fillim të marsit të kaluar, dhjetëra fëmijë në një jetimore lokale mbetën të bllokuar. Fillimisht, drejtori i jetimores, Volodymyr Sahaydak, tha se stafi shpresonte se do të mund të evakuoheshin në pjesë të shtetit të kontrolluara nga forcat ukrainase.
“Por, shpresa shuhej çdo ditë që kalonte”, tha Sahaydak për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë. “Dhe pas pothuajse tre muajsh, ne e kuptuam se askush nuk mund të na nxirrte nga okupimi, veçmas pasi rusët nuk lejonin që këta fëmijë, në numra të tillë, të largoheshin”.
Në atë kohë u bë e qartë se rusët po dërgonin mijëra fëmijë ukrainas në Krimenë e pushtuar nga Moska ose në Rusi. Sipas një raporti të publikuar më 14 shkurt nga Qendra për Hulumtime Humanitare e Universitetit Yale – që është pjesë e projektit për të drejtat e njeriut që mbështetet nga Departamenti amerikan i Shtetit – të paktën 6.000 fëmijë ukrainas ishin larguar nga territoret e pushtuara të Ukrainës, pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt 2022.
Sipas raportit, aty bënin pjesë “jetimët dhe ata që ishin banorë të institucioneve shtetërore dhe ka të ngjarë që u shënjestruan për t’i dëbuar në territorin e Rusisë me qëllim të birësimit”.
Veprime të tilla, u tha në raport, “mund të përbëjnë krime të mundshme lufte dhe në disa raste edhe krime kundër njerëzimit”.
“Ne ishim nën okupim”, tha Sahaydak. “Ballë për ballë, pa financim, pa mbështetjen e Qeverisë, dhe ishte e rëndë. Sigurisht, ne e kuptonim se jeta jonë do të ishte e ndryshme në mënyrë radikale”.
Të 53 fëmijët dhe adoleshentët që Sahaydak kishte nën përkujdesje, nga mosha 3 deri 18 vjeç, u detyruan që të fshiheshin.
Në ditët e para të pushtimit, civilët u larguan nga zona, duke marrë me vete familjet e tyre dhe duke shkuar në vende të sigurta. Punëtorët e jetimores nuk bën përjashtim nga kjo dhe shpejt Sahaydak e gjeti veten vetëm me dy pjesëtarë të tjerë të stafit.
Autoritetet pushtuese vendosën orë policore prej orës 17:00 dhe transporti publik u ndalua nga ora 15:00. Punëtorët që punonin zakonisht deri në orën 20.00 duhej të shkonin në shtëpi në orën 14:00, tha ai.
“Përgjatë kësaj kohe, ne kemi jetuar një jetë konspirative”, kujtoi Sahaydak. “Fëmijët nuk mund të dilnin jashtë. Ne kishim në oborr të mbyllur… nuk mund të shihej nga rruga. Ne i lejonim fëmijët që të dilnin në grupe të vogla, për 15 minuta secili grup. Ata nuk mund të bërtisnin, qeshnin apo të vraponin vërdallë. Ata e dinin se nëse bënin zhurmë, mund të zbuloheshin”.
“Ata e kuptuan se mund të dërgoheshin që të gjithë në Rusi, prandaj u sollën mirë”, tha ai.
Gradualisht, Sahaydak tha stafi i tij që kishte mbetur gjetën strehim për fëmijët në shtëpitë e familjeve që ende po qëndronin në zonat e pushtuara. Disa familje madje strehuan tre-katër fëmijë, duke vënë në rrezik edhe veten.
Sahaydah tha se mësoi të përdorte Photoshop-in për të falsifikuar letrat dhe dokumentet, në mënyrë që të ndihmonte familjet që të kalonin pikat e kontrollit të ngritura nga autoritetet pushtuese.
Gjatë verës, rusët shkuan në hetimore, jo për të marrë fëmijët, por për t’iu ofruar strehim.
“Në qershor rusët na gjetën”, tha Sahaydak. “Ata e dinin se kishte një strehë për fëmijët. Ata kishin një problem pasi në vendbanimin e Novopetrivkës, që ishte në vijën e frontit, ata kishin gjetur një shkollë ku 15 fëmijë ishin strehuar në bodrum”.
“Ushtarët rusë na i sollën ne ata fëmijë”, tha ai, duke treguar se fëmijët u transportuan me kamionë ushtarakë. “Ata ishin të frikësuar sepse kishin menduar se do t’i dërgonin në Rusi”.
Fëmijët e rinj që erdhën qëndruan në jetimore për tre muaj, teksa autoritetet pushtuese në mënyrë periodike vinin për të parë gjendjen e tyre. Sahaydak nuk tentoi t’i fshihte sepse nëse rusët do të kryenin një bastisje, ka të ngjarë që do të zbulonin edhe fëmijët e tjerë.
“Kur rusët nisën të largoheshin nga rajoni i Hersonit më 19 tetor, sigurisht se ata u kthyen për fëmijët”, tha ai. Ai tha se fëmijët u morën fillimisht dhe u dërguan në rajonin ukrainas të Krimesë që është nën pushtimin rus dhe më pas u dërguan në qytetin rus, Anapa.
Pasi rusët u tërhoqën nga qyteti i Hersonit dhe pjesë të tjera të rajonit, përfshirë nga Stepanivka, jetimorja që udhëheq Sahaydak më në fund u evakuua në rajonin fqinj të Mikollajivit.
Stepanivka, që gjendet në skajin veriperëndimor të qytetit, vazhdimisht granatohet. Ndërtesa ku gjendet jetimorja është dëmtuar nga një sulm rus më 11 dhjetor, një muaj pasi Ukraina rimori kontrollin e Hersonit, tha Sahaydak.
“Ne nuk mund të kthehemi në qendrën tonë”, tha ai, “sepse Hersoni granatohet çdo ditë”./REL