I pari që reagoi në Prishtinë pas aktakuzave të Prokurorisë Speciale ishte ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Ai tha se Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviçit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftetarëve të tjerë”- tha Haradinaj.
Edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa shprehu besimin e tij se lufta për liri e UÇK-së ishte e drejtë dhe se kjo do të konfirmohet edhe nga drejtësia ndërkombëtare. “Luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb”- tha Mustafa.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se lufta çlirimtare e UÇK-së, është luftë e drejtë është luftë kundër një agresori dhe okupatori, i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët e invalidët e UÇK-së edhe politikisht, edhe historikisht janë në të drejtën e tyre. Ai tha se ngritja e aktakuzës për presidentin Hashim Thaçi e dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Unë besoj në pafajësinë e UÇK-së, dhe mendoj që Kosova është dashur me herët që ta ketë gjyqësorin e vet të pavarur e të paanshme që të hetojë, gjykojë, dënojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes”- ka thënë Kurti.
Ndërkohë, kryeministri Avdullah Hoti tha se qeveria e Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës dhe fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi. “Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Burimi: top-channel.tv