Agjencia e re e Kujdesit Shëndetësor, Manastirliu: Asnjë strukturë publike apo private nuk do t’i shmanget akreditimit

0
Gjigandi

Krijohet Agjencia e re e Sigurimit të Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, një institucion që ka mekanizmat për të monitoruar dhe akredituar strukturat e ofrimit të shërbimit shëndetësor dhe shoqëror, publike dhe jopublike, si dhe për çertifikimin e edukimit në vazhdim të profesionistëve shëndetësorë dhe shoqërorë.

Në një aktivitet të organizuar me pjesmarrjen e profesionistëve të shëndetit dhe kujdesit shoqëror, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se jemi në një moment ku duhet të na udheheqë cilësia për shërbimet shëndetësore dhe shoqërore.

“Agjencia është instrumenti që ka mekanizmat në të gjithë territorin, për të ndërtuar këtë funksion të ri, që është garancia që në çdo strukturë të ofrimit të shërbimit shëndetësor dhe shoqëror, të kemi jo vetëm kushte të ofrimit të shërbimit por edhe profesionistë të aftë. Nëse nuk përfshihemi në këtë proçes dhe nuk dalim garant për veten dhe për strukturat tona që drejtojmë, që plotësojnë standardet bazë dhe më tej ato optimale, gjithmonë do të jemi në një pikëpyetje të asaj që ne ofrojmë dhe të publikut apo qytetarit që merr shërbime, i cili ka gjithë të drejtën të reklamojë negativisht shërbimin jo me cilësi që ka marrë.

Në raport me vetëdijësimin që çdo institucion shëndetësor, spital, qendër shëndetësore, klinikë, farmaci, klinikë stomatologjike duhet të ketë në raport me akreditimin dhe dhënien e një ylli shërbimit të vet. Se jemi mësuar të shohim vetëm hotelet me tre yje, katër yje, pesë yje. Po pse, shëndeti nuk është i rëndësishëm aq shumë sa argëtimi dhe rehati? Është më i rëndësishmi. Shëndeti është i pari. Dhe qytetarët duhet të vetëdijësohen që kur shkojnë të marrin një shërbim shëndetësor në një klinikë publike apo private duhet të jenë të vetëdijshëm, a është kjo klinikë, kjo qendër shëndetësore, ky spital i akredituar? A i plotëson standardet bazë?”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se nuk do të tolerohet asnjë strukturë shëndetësore dhe shoqërore t’i shmanget proçesit të akreditimit.

RonaTyra

“Nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë kryer më shumë se 200 inspektime të institucioneve të kujdesit shëndetësor, klinika, spitale, qendra shëndetësore, publike dhe jo publike, që kanë kaluar proçesin e vetëvlerësimit. Ndërkohë që 93 prej tyre janë në proçes akreditimi. Por ftesa për t’u futur në procesin e akreditimit i është drejtuar më shumë se 600 operatorëve. Kjo flet qartë që interesi i strukturave shëndetësore është ende jo në nivelin e duhur për të kryer një proçes kaq të rëndësishëm si ai i akreditimit. Por a do të qëndrojmë ne në pritje? Jo! Ne nuk do të tolerojmë asnjë strukturë publike apo jo publike, qoftë ajo t’i shmanget një proçesi kaq të rëndësishëm sa proçesi i vetëvlerësimit dhe i akreditimit të institucionit. Kjo nuk është një betejë mes publikut, mes privatit, mes biznesit, mes operatorëve. Kjo është një betejë për cilësinë”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se ata të cilët do të kryejnë proçesin e akreditimit do të jenë profesionistët më të mirë në fushën e inspektimit të standardeve dhe akreditimit të institucioneve, Manastirliu tha:

“Sot ne hapim një thirrje për survejantët e jashtëm që do të jenë pjesë e rrjetit të akredituesve të çertifikuar në vend. Ftohen të gjithë ata profesionistë që kanë eksperiencë në fushën e shërbimit shëndetësor, që kanë eksperiencë në specialitete të ndryshme shëndetësore, që kanë të gjitha trajnimet e nevojshme për të mundësuar që proçesi i akreditimit të jetë një proçes që mbi të gjitha të jetë i drejtë, i paanshëm, por të sigurojë maksimalisht cilësinë edhe në proçesin e kryerjes së akreditimit”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale theksoi gjatë fjalës së saj rëndësinë e edukimit në vazhdim të profesionistëve: “Janë 1200 profesionistë që akreditohen çdo vit për aspekte të krediteve të edukimit në vazhdim. Janë 18 mijë profesionistët në sistemin shëndetësor dhe shumë shpejt do t’i shtohen profesionistët në sistemin e mbrojtjes shoqërore që do të akreditohen për nivelin e tyre të dijeve dhe të edukimit që do të marrin, në mënyrë që ne të sigurojmë që mjekët, infermierët, farmacistët, stomatologët, punonjësit social, psikologët të jenë sa më profesionistë dhe të freskojnë njohuritë e tyre, duke i’u përgjigjur të gjitha sfidave të kohës”.

Në aktivitet mori pjesë edhe Ministrja e Shtetit për Standartet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, e cila u shpreh: “Ne duhet të sjellim vazhdimisht në mendje që ai që është ofrues i shërbimit, ofrues i cilësisë, të marrë një vend të caktuar në gjithë këtë gamën e madhe të institucioneve shëndetësore. Për mua ky është mesazhi më i rëndësishëm, që ne kemi një matës cilësie që duhet të jetë i njohur nga pacienti dhe nga komunitetet, edhe nga shoqatat. Kjo matje duhet të bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe duhet të jetë e korrektueshme. Dhe midis asaj që unë pretendoj dhe asaj që jap, ka ne mes disa instrumenta të tjera që janë akredituesit klinikë”.

Gjatë aktivitetit të prezantimit të Agjencisë së re të Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, u dorëzuan çertifikatat për 13 audituesit e parë klinikë, të cilët do të kryejnë procesin e monitorimit, kontrollit, vlerësimit të praktikave mjekësore dhe klinike. Thirrja është e hapur për profesionistët e fushës për këtë rol të ri, që për herë të parë do të bëhet i mundur në vendin tonë pas miratimit të ligjit “Për Kujdesin Shëndetësor” dhe ngritjes së kapaciteteve.

Agjencia e re e Sigurimit të Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, që bashkon dy institucione, atë të edukimit në vazhdim dhe të akreditimit, do të akreditojë dhe mbikqyrë aktivitetet dhe ofruesit (institucionet dhe organizatat) e edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë sipas standardeve, kritereve dhe procedurave të përcaktuara si dhe do të akreditojë institucionet shëndetësore dhe shoqërore që plotësojnë standardet, me synim garantimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët. Aktualisht janë 36 institucione shëndetësore të akredituara (19 institucione publike dhe 17 institucione jopublike); 93 Institucione shëndetësore në proçes akreditimi; 680 klinika private/qendra mjekësore të ftuara për të marrë pjesë në proçesin e akredimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu