Krim shtetëror! OSHEE i preu energjinë në janar, e moshuara ndërroi jetë në kasolle nga i ftohti

0
Gjigandi

Një tragjedi e nxitur nga një skandal i cili nuk është hera e parë që ndodh, është konsumuar gjatë këtyre ditëve të acarta të janarit, në fshatin Ferras të komunës së Levanit në Fier.

Një grua e moshuar Liljana Sema, 67 vjeçe, jetonte prej shumë vitesh në kushte tejet të mjerueshme dhe në varfëri ekstreme në një kasolle gjysmë të rrënuar, në fshatin Ferras.

Pikërisht në këto ditë të acarta, ajo është gjetur e vdekur në banesën e saj nga vëllai i saj, Florenc Gjoleka, pasi vetëm pak ditë më parë asaj i ishte prerë furnizimi me energji elektrike nga OSHEE-ja, duke e lënë për pasojë pa ngrohje, vetëm sepse e moshuara nuk kishte paguar një muaj tarifën e energjisë.

(Foto: Liljana Sema)    
Sapo kemi mësuar këtë ngjarje të rëndë, “Priza.al” ka marrë sot kontakt me të birin e saj, Kushtrim Semën, 35 vjeç, i cili i tronditur nga ngjarja ka rrëfyer se si i ka ndodhur edhe kjo fatkeqësi.

Nga sa mësojmë prej Kushtrimit, mamaje e tij, Liljana, vuante prej vitesh nga zemra, tensioni dhe probleme të tjera me nervat, por kësaj i është mbivendosur prej shumë vitesh edhe varfëria ekstreme, skamja, uria dhe mungesa e të ardhurave minimale për të mbajtur shpirtin gjallë.

E kështu, në këto ditë të acarta “shtymën e fundit” jetës së mjeruar të Liljanës ja ka dhënë edhe OSHEE-ja, e cila gjeti pikërisht “kohën e duhur” për t’i prerë energjinë elektrike një gruaje 67-vjeçare që nuk arrinte të mbushte dot barkun me bukë.

RonaTyra

Nga ana tjetër, Kushtrimi, i vetmi fëmijë që kishte në Shqipëri dhe që jetonte, kishte mundur të siguronte prej disa kohësh një punë si roje objekti në një lokal në Jalë, prej nga ku herë pas here dërgonte para që mamaja e tij të mund të përballonte sado pakë jetën.

Krimi i bërë prej OSHEE-së, rast i përsëritur

Liljana Sema nuk është rasti i parë kur një shqiptar humb jetën nga mospasja e energjisë elektrike. Janë me dhjetëra rastet e tilla, kur nga ndërprerja e menjëhershme dhe e palogjikshme e energjisë elektrike qytetarëve të ndryshëm, këta të fundit ose kanë humbur jetën duke tentuar që ta rilidhin, ose kanë vdekur në burg ose nga depresioni për atë që u ndodhi.

Por në të gjithë këto raste autore e krimit dhe e pandëshkuar është kompania shtetërore OSHEE, përgjegjësja kryesore, që tashmë minimalisht duhet të dëmshpërblejë të afërmit dhe familjarët e viktimave për dëmet e shumta të shkaktuara, kryesorja humbja e njerëzve.

E si për hironi, 67-vjeçarja Sema, çdo muaj kujdesej që t’i paguante faturat e energjisë, gjë të cilën e dëshmon fare qartë edhe libreza e rryshkur por e mbajtur mirë e pagesës së energjisë elektrike.





(Foto: Libreza e OSHEE-së e shtetases Liljana Sema)    

Aty vetëm muaji dhjetor 2021 nuk është shënuar me një vulë, pasi vetëm për këtë muaj e moshuara nuk kishte shkuar që të derdhte pagesën, në një kohë që afatin kjo pagesë e ka deri në datën 31 Janar 2022.

Nuk dihen ende arsyet e qarta të kësaj shkëputje të kabllit të energjisë, por sipas të birit, Kushtrimit, kablli i energjisë është shkëputur që nga shtylla pranë shtëpisë dhe banesa nuk ka më lidhje energjie.

Nga sa ka mësuar “Priza.al”, ky nuk është i vetmi rast edhe në këtë zonë dhe në shumë fshatra të tjera të Fierit, ku punonjësit e OSHEE-së, bëjnë pa paralajmërim ndërprerje të energjisë, kryesisht për familje që nuk janë pagues të rregullt, ose që kanë pasur më herët probleme me OSHEE-në për pagesat.

“Priza.al” mësoi se një problem të tillë e ka pasur disa vite më parë edhe Liljana, por që kur djali i saj Kushtrimi u kthye nga Italia, pasi ku nuk i eci mbarë emigrimi, me punën që ai filloi nisën që të paguanin edhe muajt respektiv, por edhe debinë që kishin akumuluar ndër vite dhe që u kishte mbetur vetëm 25 mijë lekë pa shlyer.

Dëshmia rrëqethëse e të birit për nënën e vuajtur që humbi jetën nga ngricat

“Unë qëndroja në Jalë pasi aty punoj”, – thotë Kushtrim Sema me zërin që i dridhet për “Priza.al”, kur na tregon se si mësoi çfarë i kishte ndodhur nënë së tij Liljanës.

Qe kur kam ardhur nga Italia prej tre vitesh, kam shkuar të kërkoja punë. Puna çfarë të ishte, nuk i bëja naze. Bëra disa lloje punësh të vështira gjatë këtyre viteve, për të përballuar jetesën.

Emigrimi nuk më eci. Atje në Itali kam edhe një vëlla më të vogël dhe motrën me një fëmijë, por që të dy janë pa dokumente dhe kanë vështirësi të mëdha për jetesën edhe ata.

Unë u ktheva dhe bashkë me veten time duhet të ndihmoja edhe nënë, se ajo ka qenë edhe e sëmurë. Babain nuk e kemi dhe na ka lënë të vegjël, si dhe me shumë borxhe prej sëmundjes së keqe që kaloi.

Nëna na ka rritur të treve me lakra dhe me ç’të gjente. Kemi pasur jetë shumë të vështirë! Mamaja dilte të punonte dhe për të siguruar bukën e gojës mblidhte edhe kanaçe, hekura dhe ç’të gjente.

Por sëmundjet dhe mosha e vunë për poshtë dhe vitet e fundit nuk kishte më mundësi as të punonte. Mamaja vuante nga zemra, tensioni, ftohej herë pas here pasi shtëpia ku jetojmë është ç’bie jashtë futet brenda… Ka pasur probleme edhe me shëndetin mendor, por merrte ilaçe dhe nuk ishte në gjendje shumë të rëndë.

Unë rreth një vit më parë gjeta punë si roje objekti në Jalë dhe shkova aty pasi më duhet të punoja. Që andej dërgoja herë pas here para për nënën, pasi ajo vetë kishte vetëm 70 mijë lekë të vjetra pension kooperative. Me atë paguante dritat, ilaçet, borxhet dhe ç’i mbetej tjetër për të mbajtur frymën gjallë.

Kishte kërkuar disa herë ndihmë edhe nëpër media, por ndihma që i kishte ardhur ishte e pakët. Një tokë që kishim na e mori autostrada Fier-Vlorë dhe ende mamaja nuk e ka marrë dëmshpërblimin për tokën.

Me ato para menduam që të ndreqnim shtëpinë, që të jetonte mamaja, pasi unë jam 35 vjeç dhe do të iki përsëri jashtë kur të kem mundësi. Por paratë nuk i morëm asnjëherë.

Vetëm të dielën e kaluar më lajmëruan se mamaja kishte vdekur. Erdha ta varrosnim. Daja dhe fqinjët kishin thirrur dhe policinë. Ata e kishin çuar në Fier në morg. Nga autopsia që i bënë doktori na tha se nuk kishte shenja dhune, apo helmimi, por se kishte vdekur nga ftohja e thellë, nga ngrica…!”, – dëshmoi Kushtrimi për “Priza.al”.

 


/Burimi: Priza.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu