I pranishëm në aktivitetet përkujtimore të Kongresit të Lushnjes, Presideti i Republikës Bajram Begaj u shpreh se mesazhi i këtij Kongresi është aktual edhe për sfidat që kalon vendi sot. Begaj apeloi që interesi për vendin, interesi për Shqipërisë, të jetë mbi gjithcka.
“Kongresi i Lushnjes është një ngjarje me mjaft rëndësi historike për Shqipërinë. Është një nga momentet kyçe kur u garantua sovraniteti i Shqipërisë. U riafirmua pavarësia e Shqipërisë e shpallur në 1912. U garantua vetëqeverisja dhe mirëfunksionimi i shtetit shqiptar dhe po ashtu u aprovua statuti i Lushnjes i cili ishte dokumenti i parë e miratuar nga delegatë mbarëkombëtarë.
E shkuara duhet të kujtohet, jo vetëm për figurat e rëndësishme, por edhe si moment reflektimi, për të nxjerrë mësime e frymëzuar. Kongresi i Lushnjes na frymëzon, gjithë ata delegatë vunë interesin e Shqipërisë mbi interesin e tyre, mbi mendimet e tyre të ndryshme.
Vendosën se është më e rëndësishme Shqipëria. Mendoj se edhe sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne, që për sfidat aktuale duhet të bëhemi të gjithë bashkë për t’u përballur, e për të frymëzuar popullin shqiptar sic frymëzoi Kongresi i Lushnjes“, u shpreh Begaj për mediat.