Qindra civilë ukrainas janë vrarë në Kharkiv nga bombardimet pa kriter ruse duke përdorur municione thërrmuese, denoncon Amnesty International në një raport të botuar të hënën më 13 qershor. Studiuesit nga organizata e të drejtave të njeriut hetuan 41 sulme që vranë të paktën 62 njerëz dhe plagosën të paktën 196. Ata gjetën prova të përdorimit të përsëritur të bombave thërrmuese nga forcat ruse. Sipas raportit janë përdorur municionet 9N210/9N235 dhe minat e shpërndara, të dyja të ndaluara nga traktatet ndërkombëtare për shkak të efekteve të tyre.
“Në Kharkiv, njerëzit u vranë në shtëpitë e tyre dhe në rrugë ndërsa ata vizitonin këndet e lojërave me fëmijët e tyre, përkujtonin të afërmit e tyre në varreza, kur rrinin në radhë për dërgimin e ndihmave ose gjatë pazarit,” tha Janine Uhlmannsiek nga dega gjermane e AI, duke cituar një raport me titull “Çdokush mund të vdesë në çdo kohë”.
Organizata për të drejtat e njeriut kërkon që përgjegjësit e këtyre sulmeve të dalin para drejtësisë dhe të dëmshpërblehen të lënduarit dhe familjet e viktimave. Anasjelltas, sipas Amnesty International, trupat ukrainase shpesh kryejnë sulme nga zonat e banuara, duke vënë në rrezik jetën e civilëve vendas.
Municionet thërrmuese janë raketa ose bomba që shpërthejnë ndërsa janë ende në ajër mbi objektiv, duke lëshuar një numër të madh mjetesh të vogla shpërthyese. Ato janë të ndaluara në shumicën e vendeve të botës.
Rusia nuk është nënshkruese e Konventës për Municionet Thërrmuese ose Konventës për Minat Tokësore. Megjithatë “e drejta ndërkombëtare humanitare ndalon sulmet pa dallim dhe përdorimin e armëve të cilat, nga natyra e tyre, godasin pa dallim” .
Zelensky rinovoi apelin e tij
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i ka kërkuar sërish Perëndimit furnizimin e sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore. Që nga pushtimi rus në shkurt, qytetet ukrainase janë goditur nga më shumë se 2600 raketa armike, tha Zelensky në një video. “Këto janë jetë që mund të ishin shpëtuar, tragjedi që mund të ishin parandaluar – nëse Ukraina do të ishte dëgjuar.” Edhe para luftës, vendi i tij kërkoi sisteme moderne të mbrojtjes ajrore që mund të ishin dorëzuar vite më parë.
Kasyanov: Shtetet baltike janë të radhës
Ish-kryeministri rus dhe lideri i opozitës në ekzil, Mikhail Kasyanov, ka paralajmëruar për pasojat shkatërruese për paqen në Evropë nëse Ukraina, e cila ishte sulmuar nga Rusia, do të humbiste luftën. “Nëse Ukraina bie, shtetet baltike do të jenë të radhës,” paralajmëroi Kasyanov në një intervistë video me agjencinë e lajmeve AFP. Ai i bëri thirrje Perëndimit që të mos i bëjë asnjë lëshim shefit të Kremlinit Putin.