Shënim/ Drejtësia jonë e re nuk mund të ndërtohet mbi mendësinë e mykur dhe përçarëse “një maloke më pak”

0
Gjigandi

Nga Edona Llukaçaj

Rikonfirmimi në detyrë i prokurores Elizabeta Imeraj, drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), vitin e kaluar, u kontestua nga Komisioneri Publik. Në përputhje me qasjen e shfaqur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), u kërkua rishyrtimi i figurës së prokurores nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), organi përballë të cilit znj. Imeraj u mbrojt këtë javë.

Nëse ajo e meriton të rikonfirmohet në detyrë dhe të përfaqësojë organin e akuzës është çështje që do të vendoset nga organi kompetent, besojmë fort, me paanshmëri dhe konform ligjit. Si pritet nga shqiptarët që duan të besojnë në drejtësinë e vet; dhe si kërkohet edhe nga zgjatja e afatit të vetingut për shqyrtimet e thella të ndërmarra – që duan shumë kohë – , procesi nuk pranon hije dyshimi apo gabime që do cënonin besueshmërinë e tij.

Por ky proces nuk mund të shoqërohet me zhytje në gjirizet e diskriminimit, qofshin ato gjinore, krahinore, partiake apo çfarëdo.

Nuk e dimë nëse znj. Imeraj është një nga ata prokurorë e gjyqtarë që nuk duhet të lejohen kurrsesi të jenë pjesë e organeve të drejtësisë së re; apo “nusja e klanit kriminal”, e cila u divorcua në mënyrë fiktive për të kaluar vettingun; apo personi i paskrupullt që “bëri shantazh” për t’u rikonfirmuar në detyrë (përtej pikëpyetjeve, nuk kuptojmë pse ata që dëlirin drejtësinë në emrin tonë janë të shantazhueshëm?!)

RonaTyra

Por nëse akuzat ndaj znj. Imeraj mbeten fjalë të pabaza e të paprovueshme dhe gjithë çfarë synohet me këtë zhurmë është “një maloke më pak” në rradhët e të përzgjedhurve, atëherë për çfarë drejtësie duhet të përgatitemi?

Një drejtësi që formohet a riformohet mbi paragjykime nuk premton se do të mund t’i afrohet me paanshmëri si atyre që patën fatin të lindin në “vendin e duhur” si atyre që vijnë nga më larg.

Nuk premton të jetë drejtësi që do i jepet njëlloj të gjithëve, edhe atyre që e kanë “më të trashë” shqipen.

Të paktën, në një drejtësi të gatuar kështu nuk do të mund të mbështeten të qetë individët, e veçanërisht gratë, nga anët e stigmatizuara. Do të ndjehen të margjinalizuar dhe të përjashtuar.

Kjo nuk mund të jetë drejtësia e re, por një shëmbëlltyrë e së vjetrës, po aq e shëmtuar dhe e kapur sa ajo. Nje drejtësi që dështon të promojë mirëfilltazi meritokracinë por përçan me bazë diskriminimin, nuk është drejtësia në të cilën besojnë apo shohin të denjë për shqiptarët partnerët ndërkombtarë.

Për shembull, kjo është në kundërshti të plotë me çfarë përfaqëson institucionalisht dhe personalisht ambasadorja Kim.

Mbi të gjitha, drejtësia jonë e re nuk mund të ndërtohet mbi mendësinë e mykur dhe përçarëse “një maloke më pak”. Kjo nuk është e drejtë për shqiptarët. Kjo nuk është drejtësi ‘e drejtë’./Gazeta Dita

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu