Kryebashkiaku i Seulit, Park Won-soon u gjet i vdekur, raporton agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut Yonhap.
Policia gjeti trupin e tij në pjesën veriore të Seulit, afër vendit ku sinjali nga telefoni i tij celular u zbulua për herë të fundit gjatë kërkimit të tij.
Kryetari i bashkisë së kryeqytetit të Koresë së Jugut, ishte i zhdukur të enjten pasi la një mesazh që vajza e tij e përshkroi si dukej si një testament, tha policia.
Vajza e tij e thirri policinë sot dhe tha që babai i saj la një mesazh verbal “si një testament” para se të linte shtëpinë e tyre rreth 4-5 orë më parë. Ajo nuk e shpjegoi përmbajtjen e mesazhit, tha një oficer në Agjencinë e Policisë Metropolitane në Seul, i cili ishte përgjegjës për operacionin e kërkimit.
Rreth 300-400 oficerë dhe një dron u mobilizuan në kërkim, sipas policisë.
Kim Ji-hyeong, një zyrtar i qeverisë metropolitane të Seulit, tha që Park nuk ishte paraqitur për punë të enjten për arsye të paspecifikuara dhe kishte anuluar të gjithë programin e tij, duke përfshirë një takim me një zyrtar presidencial në zyrën e tij të qytetit të Seulit.
Arsyeja e zhdukjes së Park nuk ishte e qartë. Rrjeti televiziv SBS me qendër në Seul raportoi se një nga sekretarët e Park kishte parashtruar një ankesë në polici të mërkurën në mbrëmje për ngacmime të dyshuara seksuale siç janë kontakti fizik i padëshiruar.
Sekretari i Park u tha hetuesve të policisë se një numër i papërcaktuar i punonjësve të tjerë femra në bashkinë e Seulit kishin pësuar ngacmime të ngjashme seksuale nga ana e kryebashkiakut.
Burimi: top-channel.tv