Cila është skuadra me moshën mesatare më të lartë në Serinë A dhe jo vetëm? Këtë të dhënë e saktëson Observatori Futbollistik “CIES”, i cili ka bërë një analizë të thelluar mbi 60 liga të ndryshme të botës (jo për Shqipërinë), ku në fund të vëzhgimit ka rezultuar: Valencia është skuadra më e re e Europës me 23.99 vjeç, e cila paraprin Shtutgartin me 24.22 vjeç, ndërsa anglezët e Sauthemptonit mbyllin podiumin me 24.4 vjeç.
Por nëse fokusohemi vetëm te Seria A, skuadra më e re rezulton Leçe me 25.31 vjeç, ndërsa surprizën e bën Interi, i cili me 29.13 vjeç është formacioni më i plakur i elitës së futbollit italian.
Zikaltrit kanë një mesatare të lartë veteranësh në skuadrën e tyre, ku spikasin pa dyshim Samir Handanoviç dhe Edin Xheko, por edhe lojtarë të tjerë si De Vraj e Darmian, që i kanë lënë pas të 30-at.
Ndërkohë, për sa u përket formacioneve të tjera, Juventusi është gjithashtu pjesë e fundit të “renditjes” me një moshë mesatare prej 27.68 vjeçësh, por akoma më “keq” janë Roma dhe Lacio respektivisht me 28.14 dhe 28.85 vjeç.
Ndërkohë, Milani duket se e ka të ardhmen e garantuar, duke qenë se është pjesë e skuadrave më të reja të renditjes, e pesta me 25.91 vjeç, ndaj mund të shohë me më shumë qetësi drejt së ardhmes, ashtu sikurse edhe Napoli, në mes të tabelës, me 26.65 vjeç.