Pas ngjarjes së ndodhur me 26 shtator, ku u ekzekutua Martin Bardhi konfirmohen lëvizje në radhët e Policisë së Rrëshenit.
Bëhet me dije se Shefi i Sektorit të Krimeve, i Rendit dhe Drejtuesi i Komisariatit të Rrëshenit janë shkarkuar nga detyra.
Sipas burimeve bëhet me dije se Klodian Kondi është emri i ri i emëruar në krye të Sektorit të Krimeve, Gentian Berberi ka zënë postin e zv.drejtorit të Hetimit dhe Altin Mena është emëruar zv.drejtor i Rendit.
Më 26 shtator, Martin Bardhi u qëllua me armë në një lokal, ndërsa nga plumbat mbetën të plagosur Ilir Bardhoku, Olti Gjini, dhe Indrit Bardhi.
Po atë ditë, Policia gjeti një automjet tip fuoristradë duke u djegur në fshatin Gëziq, i cili dyshohej se ishte përdorur nga autorët e ngjarjes.
Një ditë pas ngjarjes, policia shoqëroi në komisariat 10 persona, mes të cilëve dhe anëtarë të fisit Reçi.
Dyshimet e para u përqendruan në pistën e hasmërisë, për shkak të konflikteve që viktima Martin Bardhi kishte me pjesëtarë të fisit Reçi, por këta të fundit në dëshminë e tyre kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen.