Një shqiptar nga Mali i Zi është shpallur në kërkim pasi dyshohet të jetë autor i vrasjes së një studenteje serbe.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Zvezdara.
Mediat serbe raportojnë se shtetasi me inicialet J.G., dyshohet se është autori i vrasjes së studentes Ivana K, 26-vjeçe.
Nga hetimet paraprake, mësohet se gjurmët e ADN-së së tij janë gjetur në banesën në Zvezdarë dhe tani për tani gjithçka tregon se vrasësi është ai. I riu thuhet se ka shoqëruar Ivanën në shtëpi mbrëmjen fatale dhe më pas nisi ta mbyste vajzën, duke i mbuluar me njërën dorë hundën dhe me tjetrën gojën.
Ndërkohë për të larguar çdo dyshim të mundshëm nga vetja ai kishte postuar dhe një mesazh, bashkangjitur dhe një foto ku ndihej i pikëlluar nga humbja.
“Engjëlli im, pushofsh në paqe, të jetë i lehtë dheu i zi. Të gjithë jemi të Allahut dhe tek ai kthehemi”, ka shkruar i riu.
Sipas mediave serbe, Ivana dhe vrasësi i saj u takuan vitin e kaluar gjatë një shëtitjeje malore, ndërsa thuhet se i riu nuk ndodhet më në Serbi.
Ishin vëllezërit e vajzës ata që e gjetën më 24 dhjetor motrën e tyre të pajetë në banesën e saj me qira, pasi nuk po iu përgjigjej telefonit.
Gjatë seancës gjyqësore, familjarët e viktimës pohuan se ajo nuk ka marrë asnjë kërcënim.
j.l./ dita