Gjendet dhe sekuestrohet kasaforta sëbashku me shumën e parave që autorët vodhën brenda një objekt kulti (xhami), në qytetin e Burrelit një ditë më parë.
Policia bën me dije se ka identifikuar dhe shoqëruar dy autorët e dyshuar të vjedhjes, ku për shkak të moshës u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së informacionit se ishte vjedhur me thyerje një objekt kulti (xhami), në qytetin e Burrelit, dhe autorët kishin marrë kasafortën me një shumë parash, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e saj, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i vlerësimit të rastit dhe veprimeve të mirëkoordinuara, u bë e mundur identifikimi dhe shoqërimi në Komisariat i dy shtetasve të mitur 12-vjeçar, autorët e dyshuar të vjedhjes. Këta shtetas në bashkëpinim me njëri tjetrin gjatë orëve të natës kanë vjedhur me thyerje objektin e kultit dhe kanë marrë kasafortën metalike e cila brenda saj kishte një shumë të konsiderueshme parash. Kasaforta sëbashku me shumën e parave u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve hetimore, dy të miturit për shkak të moshës u proceduan penalisht në gjendje të lirë“, konfirmon policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
p.k\dita