Nga Albert HABAZAJ
Në Vlorë u zhvillua këto ditë një takim jo për të analizuar ngjarje, data apo persona historikë, por për të nderuar dy luanë lirie, një nga yjet e pashuar të qiellit të lirë shqiptar që ndriçojnë tokën shqiptare larë me gjak trimash e trimëreshash dhe një vulë trimërie me plagët legjendare marrë në luftë. Sot nderojmë gjakun dhe eshtrat e shenjta të dy nga dëshmorët e Vlorës, Muharrem Llanaj nga Vranishti dhe Hasan Mëhilli nga Dukati, të dy luanë lirie.
***
Hasan Mëhilli (1917-1943). Lindi në Dukat të Vlorës, një fshat bujar dhe me emër. Si gjithë të tjerët, Hasani që i vogël punonte jo më pak se të mëdhenjtë, se duhej mbajtur familja, dhe pse puna qe e rëndë siç qe jeta në të gjithë Atdheun. Bashkëkohësit e tregojnë portretin fizik të tij truplidhur, me flokë të zinj, me vështrim të mprehtë dhe pamje burrërore. Me kohë, kishte hapur një barakë në anë të rrugës dhe shiste cigare, raki e liker. Ai kishte besim tek lufta çlirimtare, kishte shpresë për një të nesërme më të mirë e me shkolla. E përjetoi keq 5 majin e vitit 1942 kur, duke luftuar me armë në dorë kundër milicisë fashiste dhe tradhëtarëve të Atdheut, ra siç bien trimat, 21 vjeçari i përjetshëm Qemal Stafa. Pak ditë më pas baraka në anë të rrugës u mbyll. Hasani nuk u duk më në Dukat për një kohë të gjatë…
Të gjithë kemi dëgjuar për aksionin e hapjes së burgut të Vlorës. Hasani ishte roje burgu dhe luajti një rol të madh në këtë aksion. Ai edhe armë kishte futur tek të burgosurit. Pas kësaj ngjarjeje të bujshme, Hasani hidhet në radhët e çetës “Plakë” të Vlorës, që u krijua 4 dhjetor 1942, në Vriz të Gjormit.
Më 15 gusht 1943, me krijimin e Brigadës I Sulmuese rreshtohet në radhët e saj, në fushën e Markëzës – Vithkuq, si efektiv i kompanisë II të Batalionit I. Shtabi i Brigadës, duke vlerësuar trimërinë, gjakftohtësinë dhe zgjuarsinë e Hasanit, i besoi detyrën e komisarit të Kompanisë së Dytë. Më 10 shtator 1943, kur një autokolonë gjermane e pushtuesit të ri nazist, vinte nga Greqia, kompanisë së Hasanit iu ngarkua detyra të pengonte kalimin e saj. Prita u bë në rrugën Pogradec – Qafë e Thanës. Partizanët u vendosën në të dy anët e rrugës. Sytë e tyre shkreptinin nga urrejtja për armikun. Komisarin s’e mbante vendi, lëvizte nga një pozicion në tjetrin. U fliste shokëve, u jepte zemër: “Zjarr dhe hekur do të derdhim mbi ta. Ta shohin ç’do të thotë të shkelësh Shqipërinë”. Partizanët prisnin. Zhurma e autoblindës u dëgjua që larg. Partizanët u përgatitën e prisnin urdhërin. Ja ku buçiti zëri i fuqishëm i komisarit: “Zjarr!” … Makina e parë mori flakë. Komisari trim doli nga pozicioni dhe u hodh mbi makinë, ku ish dhe një oficer i lartë nazist, të cilin e qëlloi në gjoks. Oficeri ra, por edhe komisarin e mori në ballë një plumb. Kompania sulmoi dhe e kreu me sukses detyrën luftarake. Kujtimit të komisarit trim, populli i kushtoi këtë këngë:
“Hasan Mhilli, trim i rrallë
Ju hodh maqinës së parë
Gjermanët t’i zij të gjallë,
Se trimat kështu e kanë ,
E marrin plumbin në ballë”.
Emrin e tij e mban shkolla e mesme Dukat- Fushë.
***
Muharrem Llanaj (1921-1994). Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është faqja më e lavdishme në historinë e popullit shqiptar në luftërat për liri e pavarësi në rrjedhat e kohës. Ajo klasifikohet siç u zhvillua, siç është, një epokë lavdimbuluar. Gjatë betejave ka pasur edhe figura historike me dritëhije të stisura nga liliputë me kollaro, por që përsëri përbëjnë mistere të ndritshme, siç është emri i dëshmorit të gjallë Muharrem Qamil Llanaj. Muharrem Llanaj ishte nga Vlora me histori dhe si bir i Vranishtit martir, kur kërciti pushka e mitralozi kundër pushtuesve fashistë dhe lakejve të tyre bastardë, atë ditë mizore e natë me barrë të ligë të 7 Tetorit 1942, luftoi siç i ka hije trimit në betejën e Kodrës së Kuqe në Tiranë, krahas guerrilasve legjendarë Vojo Kushit, birit të Shkodrës heroike, Sadik Stavilecit, birit të Kosovës kreshnike dhe Xhoxhi Martinit, birit të Tiranës së kuqe (të tre nderuar me Presidenti i Republikës me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. [U jepet personaliteteve shqiptare që, me veprat dhe emrin e tyre, nderojnë kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit]. Në një luftë e pabarabartë me fashistët italianë e bashkëpunëtorëve të tyre, kundër tankeve e autoblindave, ata të katër shkruan Epopenë e Kodërs së Kuqe, duke e shndërruar në kala shtëpinë tiranase të atdhetares Ije Farka. Muharremi ishte më i riu, vetëm 21 vjeç. Zjarri i armëve të 200-300 milicëve shoqëruar edhe me 6 tanke dhe autoblinda vërshoi në drejtim të tyre. Luftuan si heronj, vranë edhe një numër fashistësh dhe tre të parët ranë për të mos vdekur kurrë. I katërti, i plagosur rëndë u kap i gjallë nën rrënojat e një shtëpie. Ai ishte Muharrem Qamil Llanaj.
Kjo është e vërteta e ndodhur, e konfirmuar edhe në letrën sekrete, që gjendet në Arkivin e Shtetit. Është letra, që kuestori L. [Pandeli] Papalilo i dërgon prefekturës mbretërore të Tiranës më 16 tetor 1942, ku, ndërmjet të tjerash, thuhet: “Në mbrëmjen e 7 tetorit 1942 në lagjen “Ismail effendi” (Kodra e Kuqe) forca tona të milicisë fashiste u bënë thirrje një grupi të armatosur komunistësh terroriste, që të dorëzohen. Por ata na u përgjigjën me bomba dore. Vramë tre prej terroristëve (dhe përmenden emrat e tre heronjve – shën. im: AH). Ndërsa i katërti u gjet nën rrënojat e një shtëpie. Ky është Muharrem Qamil Llanaj nga Vranishti i Vlorës. Është personi, që ka qenë i kërkuar për shkak të pjesëmarrjes në një organizatë terroriste komuniste, i cili më pas është denoncuar në autoritet gjyqësore ushtarake me raportin Nr. 11564/2 datë 10 gusht të këtij viti”.
Nga ky burim arkival mësohet se në “Kodrën e Kuqe” kanë luftuar katër të rinj antifashistë. Kurse në një letër tjetër të gjyqit të posaçëm të shtetit, që mban datën 16.06.1943 thuhet se “Muharrem Qamil Llanaj, i biri i Qamilit dhe Validesë, lindur në Vranisht të Vlorës…. Është dënuar me ndëshkim me vdekje në litar, për faje: Propagandë subversive e akte terroriste…”. Kjo është e vërteta, historia e shkruar ashtu si ka ndodhur ngjarja, me të gjitha faktet dhe të gjithë protagonistët e saj, kjo është historia e ngjarë, e padyshueshme, e padiskutueshme, e dokumentuar edhe nga shkresat arkivore të kohës.
Në monografinë “Historiku i Vranishtit Vlorë” (grup autorësh; Tiranë: Toena, 2011, f. 72 në kreun ku flitet për Vranishtin në rezistencën antifashiste, shikojmë edhe emrin e Muharrem Qamilit krahas atyre bashkëfshatarëve me ide përparimtare që jetonin jashtë fshatit. Po aty, në faqet ku trajtohet organizimi i vranishtiotëve në formacionet luftarake gjatë LANÇ, emrin e i ish- partizanit Muharrem Qamil Llanaj e gjejmë në formacionet partizane të Veriut (f. 92/7), po ashtu tek kolona e luftëtarëve antifashistë të plagosur gjatë LANÇ (f. 92/14) si dhe në kolonën Invalidë të LANÇ (f. 92/15).
Në vitet e zjarrta të luftës dhe nëpër burgjet fashiste, torturat e peripecitë e pabesueshme që ka kaluar, luani i gjallë i Kodrës së Kuqe ishte “pagëzuar” herë me emrin Petro Madelli, herë me emrin Xhemil Sinani nga Shalësi i Konispolit… Nga jetëshkrimi i tij dimë që Muharrem Llanaj ka lindur në vitin 1921, si dhe kishte mbaruar në Kavajë Teknikumin për Bujqësi. Gjatë LANÇ është dalluar me pjesëmarrjen e tij në Njësitin Gueril të Tiranës, në Pezë, në Orenjë të Elbasanit, në Batalionin Krujë-Ishëm, Mat, Dibër të Madhe gjer në Prishtinë, Pejë e Drenicë të Kosovës sonë, ku ka luftuar krah më krah me partizanët çlirimtarë. Pas çlirimit u çua në Berat të punonte si agronom në bujqësi, për dekada të tëra. 40 vjet jetoi në Berat. Ishte mik që nga lufta me Gogo Nushin, ish – sekretar i Parë i Beratit. Dhe këtu, i mbuluar nga heshtja u nda nga jeta në vitin 1994, në moshën 76 vjeçare.
Na vjen ndërmend një rast tjetër interesant dhe është për t’u çuditur kujtesa e papritur e Beqir Ballukut në Shtëpinë e Oficerave, Tiranë, në ditën e Armës së Artilerisë, mars 1973. Për këtë festë, u organizua dhe një koncert, ku këngëtarja e njohur Fitnete Rexha po këndonte këngën “Në Kodrën e Kuqe – tre luanë”. Beqir Balluku, Ministër i Mrojtjes në atë kohë dhe ish- komandnat i njësiteve guerrile të Tiranë gjatë LANÇ, që ndodhej në sallë, ishte ngritur në këmbë dhe tha: Vëllezër! Dua të bëj një sqarim: Në Kodrën e Kuqe kanë qenë jo tre, por katër luanë. I katërti është një djalosh nga Vranishti i Vlorës, Muharrem Qamili…” Salla kishte ushtuar nga duartrokitjet, po ato nuk do ta kapërcenini sallën dhe emri i Muharremit do të mbetej aty. Po do të mbetej bashkë me të si një enigmë e pazbuluar, edhe lufta e tij përkrah shokëve në Epopenë e Kodrës së Kuqe. Se dhe në vitet që do të vinin, për Muharremin nuk u shkrua. Gogo Nushi kishte vdekur që më 9 Prill 1970, ndërsa Beqir Balluku u arrestua, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 Nëntor 1975. Dhe Luanin e Katërt të “Kodrës së Kuqe” përsëri do ta mbulonte heshtja …
Muharrem Qamili ka lënë një visar për historinë dhe brezat, “Fletoren e kujtimeve për “Kodrën e Kuqe””, ku ndër të tjera shkruan: “Unë gjithnjë kam punuar me ndërgjegje të lartë e përkushtim në kryerjen e detyrave të ngarkuara. Veç plagëve të marra në luftë e gjymtimeve në kampet naziste, jam paralizuar edhe dy herë, në vitin 1960 dhe më 1967. Jam dekoruar me Medaljen e Kujtimit, të Trimërisë e Çlirimit…”.
Duke pasur një miqësi të kahershme dhe shumë të afërt me gazetarin e njohur dhe shkrimtarin e vendlindjes dhe të humanizmit universal Duro Mustafai, në një takim në Tiranë, aty nga fillimi i tetorit 1983, më thotë me një shqetësim intelektual dhe atdhetar të tejdukshëm:
“Edhe pse ishte një nga komunistët dhe partizanët e orëve të para; edhe pse kishte luftuar në krah të Vojo Kushit, Sadik Stavilecit e Xhoxhi Martinit, në atë betejën e famshme, që tundi Tiranën e hyri në histori si “Beteja e Kodrës së Kuqe”; edhe pse kishte marrë plagë të rënda në trup, e ishte dënuar nga gjyqi fashist me “Vdekje – Varje në litar’’, emri dhe bëmat e tij, nuk do të përmendeshin për afro 4O vjet. Vetëm ata që e njihnin nga afër do të pëshpërisnin për të se: “Ai, Muharrem Qamili nga Vranishti i Vlorës, ka luftuar kundër fashistëve me Vojo Kushin e shokët e tjerë, në “Kodrën e Kuqe”, e se për popullin ai ishte një Hero, që nuk u shpall kurrë’’ ..
Pse të ketë ndodhur kjo padrejtësi në historinë e një luftëtari antifashist, kur historia e tij i bënte nder historisë së vërtetë të popullit?! Siç e shpreha qysh në fillim të kësaj fjale përnderimi, nuk mund të bëjmë sot analizë dhe as ne nuk mund ta bëjmë atë, por gjykojmë, refleketojmë dhe do të nderojmë deri në frymë e fundit idealistët e mëdhenj që bënë veprën madhështore të lirisë. Figura historike e Muharrem Qamilit përbën një jetë sa intersante, aq heroike.
Vdekja e “Heroit” të gjallë, i katërti i Epopesë së Kodrës së Kuqe, më 17 prill 1994 u prit me trishtim dhe me nderimin e vonuar por të merituar për një veteran antifashist, gjithashtu duke u vlerësuar nga Presidenti i Republikës me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. [U jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për trimëri në luftën e armatosur dhe për veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë paqeje]. Plagët e tij – vulë e gjallë trimërie.