Vijon përçarja në PD, Gert Bogdani kritika Këlliçit: “Ka humbur një muaj kot, nuk ofron zgjidhje dhe s’ka vizion”

0
Gjigandi

Siç pritej nga shumë zëra analistësh brenda dhe jashtë opozitës, primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës kanë sjellë një përçarje të mëtejshme të saj në prag të zgjedhjeve vendore, me ngjalljen e pakënaqësive të shumta nga disa prej kandidatëve që ishin në garë. Gert Bogdani, i cili garoi përballë kandidatit të preferuar të Sali Berishës, Belind Këlliçit, ka deklaruar së fundmi se PD-ja po humbet shumë kohë në organizimin për zgjedhjet e ardhshme.

Në një intervistë për Ora Neës, Bogdani thotë se PD po krijon një handikap shumë të madh dhe se deri më tani ka humbur një muaj kohë kot, ndërkohë që nga ana tjetër, Partia Socialiste ka nisur punën e saj organizative në terren. Sipas tij, këto vonesa do të reflektohen edhe në kutinë e fundit.

“Në qytetet kryesore dhe në pjesën më të madhe të tyre kemi një muaj kohë të humbur kot. Unë e kuptoj që kanë qenë festat e fundvitit, Krishtlindja, Viti i Ri e me radhë, por kjo nuk të pengon që të fillosh punën dhe organizimin për fushatën, dhe nga ana tjetër, ajo që thoni ju, pra një forcë që është në qeveri, një forcë që i ka të gjitha pushtetet, dhe prapë është në fushatë. Ata kanë shumë më tepër se dy muaj, kanë që prej muajit shtator që janë në terren, pra mbase nuk kanë qenë në terren me emrat konkrete të kandidatëve konkretë, që do kenë në 14 maj, por kanë qenë në terren me strukturën organizative të Partisë Socialiste. Kjo padiskutim që është një handikap shumë i madh për PD, gjë që pastaj reflektohet në ditën e fundit, ditën e votimit dhe ditën e shpalljes së rezultatit, pra 14 maj e ditët në vijim”, tha Bogdani.

Gert Bogdani thekson se PD në këto momente nuk është e aftë që të ofrojë zgjidhje dhe s’ka vizion. “Duhet t’i japë drejtim, duhet t’i japë zgjidhje, duhet t’i japë vizion, alternativë dhe kanalizim gjithë kësaj energjie që kemi. Në këtë moment nuk e kemi një gjë të tillë”, deklaroi ai.

Bogdani ngre dyshime dhe për procesin e primareve brenda PD, ku ai vetë garoi përballë të përzgjedhurit të Sali Berishës, Belind Këlliçi. “Procese të tilla, nëse bëhen të sakta dhe ashtu si duhet, i japin forcë një partie që nuk është e shëndetshme. Janë procese që shërbejnë edhe në momente të vështira të një force politike. Por gjithmonë kur bëhen saktë dhe ashtu si duhen”.

RonaTyra

Krahas përçarjes mes grupimit të Rithemelimit të Berishës dhe atij të Alibeajt, primaret sollën dhe pakënaqësi të shumta mes kandidatëve të primareve. Ilir Alimehmeti ishte i pari që refuzoi ftesën e Belind Këlliçit për të qenë nënkryetar në Tiranë, ndërsa Fatmir Merkoçi u largua nga Berisha dhe u shfaq në krah të Enkelejd Alibeajt.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu