Bombardimet izraelite në Gaza janë aq të rënda sa, qytetarët atje thonë se po përjetojnë “Nakba-n” e tyre, fjala arabe për katastrofë, e cila i referohet luftës së vitit 1948 kur u krijua shteti i Izraelit, duke çuar në shpronësim masiv të palestinezëve.
Ushtria e Tel Avivit lëshoi mbi gaza sulmet më të egra ajrore në konfliktin 75-vjeçar me palestinezët, duke sjellë vdekje, shkatërrim dhe kaos në enklavën e zhytur ne mjerim.
“Sulmet janë të padrejta, ne nuk kemi parë diçka të ngjashme në asnjë vend tjetër më parë. As në Hiroshima dhe Nagasaki. Ata shënjestrojnë njerëzit, pemët e madje edhe gurët dhe fëmijët. Nuk lënë asnjë në këmbë”, thotë Abu Muath.
Qindra sulme ajrore gjatë natës vranë dhjetëra persona, shumica e të cilëve civilë. Lagie të tëra janë rrafshuar, dhe spitalet nuk kanë më vende e as medikamente për të trajtuar të plagosurit. Njerëzit janë pa energji, furnizime me ujë dhe ushqim, ndërsa OKB-ja po përpiqet të sistemojë mbi 260 mijë njerëz që sipas organizatës janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre.
Skenat që vijnë prej andej, tregojnë një nivel shkatërrimi, që të mbijetuarit thonë se nuk e kanë përjetuar kurrë më parë. Gazetarja 22-vjeçare, Plestia Alqad, e cila ka treguar përmes xhirimeve në Instagram jetën mes bombardimeve, thotë mes dëshpërimit se nuk kanë ku të shkojnë pasi nuk ka mbetur asnjë vend i sigurt.
“Ajo që po ndodh është një çmenduri, nuk ka asnjë vend të sigurt. Unë personalisht jam evakuuar tri herë që prej ditës së djeshme. Jemi brenda shtëpisë aktualisht, po nuk mund të marrim dot frymë”, tha Plestia Alqad.
OKB-ja thotë se bombardimet e ditëve të fundit kanë shkatërruar më shumë se 1 mijë banesa, ndërsa viktimat janë të paktën 950. Izraeli ka shtrënguar bllokadën ndaj Rripit të Gazës, duke ndaluar plotësisht hyrjen e ushqimeve, furnizimeve me ujë, karburanti dhe energji.
Shtetet e Bashkuara bënë me dije se po diskutonin me Izraelin dhe Egjiptin të siguronin kalim të sigurt për civilët atje.
j.l./ ABC24.AL