Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë ngritur në ajër bombarduesin e tyre më të ri, B-21 Raider. Ai ka zhvilluar testet mbi Kaliforni ditën e premte, ku është fotografuar edhe nga qytetarë të thjeshtë. Më pas, këto testime janë konfirmuar edhe nga zyrtarët e Forcave Ajrore.
Vitin e ardhshëm, SHBA ka parashikuar që të shtojë në flotën e saj minimumi 100 avion B-21 Raider, të cilët sipas kompanisë që i prodhon, Northrop Grumman, secili prej tyre do të kushtojë rreth 750 milionë dollarë.
Fotot e video e fundit shfaqin avionin e ri luftarak me një pamje unike. “Siç është konfirmuar edhe nga Forcat Ajrore të SHBA-së, B-21 Raider po kryen testet e fluturimit. Këto teste të kombinuara mes ekspertëve të Northrop Grumman dhe personelit të Forcave Ajrore, do ta na çojnë në një hap tjetër drejt rritjes së aftësive operacionale”, tha Northrop Grumman.
Bombarduesi B-21 Raider u prezantua për publikun në një ceremoni të mbajtur në Kaliforni në dhjetorin e vitit të kaluar. Avioni i ri është pjesë e përpjekjeve të Pentagonit për të modernizuar armatimin bërthamor që përfshin raketa balistike bërthamore dhe mbushjet bërthamore të lëshuara nga nëndetëset. Me këtë Pentagoni po zhvendoset nga fushatat kundër terrorizmit të dekadave të fundit për t’u përballur me modernizimin e shpejtë ushtarak të Kinës.
Në to do vendosen armë bërthamore ose bomba konvencionale dhe mund të përdoren me ose pa ekuipazh njerëzor. Avioni i ri u prodhua brenda shtatë vjetësh nga dhënia e kontratës ndërsa prodhime të tjera luftarake përfshirë anijet kanë marrë dekada. B-21 Raider e ka marrë emrin nga sulmet ajrore mbi kryeqytetin japonez, Tokio në vitin 1942 të njohur si “Doolittle Raid”. Ai është pak më i vogël se ‘B-2’ për të rritur rrezen e tij.
Në tetor të vitit 2001, pilotët e avionit të vjetër bombardues ‘B-2’ vendosën një rekord të ri kur fluturuan 44 orë rresht për të hedhur bombat e para mbi Afganistan, pas sulmeve të 11 shtatorit.
https://x.com/ShorealoneFilms/status/1722993343485866184?s=20
p.c. / ABC24.AL