Veliaj: I vendosur për zgjerimin e shtratit të Lanës dhe projektin e Unazës së Madhe, Saliu dhe Iliri hiena që dinë vetëm të bllokojnë punët

0
Gjigandi

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu vendosmërinë e tij për të vijuar projektet strategjike, si zgjerimi i Unazës së Madhe të Tiranës dhe projektin e shtratit të lumit Lana. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj tha se pavarësisht histerisë së Sali Berishes dhe Ilir Metës, koha tregoi se ku ka ndërhyrë bashkia, është rritur vlera e pronës së qytetarëve.

“Kush përfaqëson njësinë 2 dhe 3 e ka parë se çfarë transformimi i ka sjellë zgjatja e lumit nga Materniteti deri në Shkozë, një tjetër projekt që mori gjysmën e rinisë sonë, 15-20 vjet, me sherre e shamata çdo gjë. Ja ku është sot! Është rritur vlera e pronës, është bërë lidhja me autostradën në Shkozë, del menjëherë në Farkë. Do bëjmë të njëjtën gjë, pavarësisht se edhe aty do plasë histeria. Jam i sigurt, Iliri dhe Saliu vetëm këtë dinë të bëjnë, të bllokojnë e të gjejnë ndonjë gjë, të kapen si hienat pas kockave, por jam i vendosur që të vijojmë me zgjerimin e lumit Lana dhe zgjerimi nënkupton nga Pallati me Shigjeta, rrugë me tre korsi, korsi e dedikuar ekstra për autobusët e biçikletat, pra 5 korsi në total dhe vazhdon nga Pallati me Shigjeta nëpërmjet Astirit ckryqëzohet me Unazën dhe mbaron në zonën që njihet si zona e Top Channel në Kashar, aty ku pastaj bashkohet sërish me autostradën Tiranë – Durrës”, tha Veliaj.

Lidhur me Unazën e Tiranës, Veliaj u shpreh se po punohet në të 7 lotet e saj. “Vazhdimi i Unazës, jam mëse i vendosur që ajo punë që i përket Bashkisë, duke qenë se qeveria tashmë ka miratuar të gjithë gjurmën dhe ne 7 lotet po punohet, bashkia bën pjesën e lidhjeve dhe degëzimet me lagjet, që asnjë lagje të mos ndihet e ndërprerë prej autostradës, por përkundrazi të përfitojë prej lidhjes me autostradën. Ju garantoj se nuk do pres më 3 vjet si në kohën e Astirit. Vendimet merren nga një shumicë, për sa kohë që njerëzit kompensohen, u jepet shtëpi ose para, kur i kanë banesat me leje e të legalizuara, atëherë qyteti duhet të vazhdojë përpara”, tha ai

Kreu i Bashkisë preku dhe çështjen e projektit tek zona e njohur si “5 Maji” dhe ajo në Kombinat, duke ironizuar krerët e opozitës: “Nuk e kuptoj, njerëz që kanë qenë presidentë e kryeministra, që ëndërrojnë të bëhen brigadierë të komunales. Pse dikush duhet ta lërë karrierën , reputacionin, emrin dhe votat në rrënoja pallatesh që janë shpallur nga Instituti i Ndërtimit të pabanueshme?!”.

Teksa foli për investimet, Veliaj foli dhe për zonën e teknologjisë dhe zhvillimit Ekonomik TEDA në zonën e Kasharit, si dhe për projektet e mëdha në infrastrukturën sportive.
“Ne do hapim këtë vit disa gara. Një ka të bëjë me transformimin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. E sigurt që edhe aty do plasë histeria. Kanë qenë hangaret e Italisë, pra nuk është ndërtuar tamam si dopo lavoro e teatrit, që ishte një vend argëtimi për ushtrinë fashiste në Tiranë. Të njëjtën gjë duam të bëjmë me stadiumin “Selman Stërmasi”. Mjafton të shohësh se çfarë ekonomie ka gjeneruar stadiumi i ri me hotelin, me dyqanet, me lokalet, restorantet, zyrat e Lufthansa, Tumo, në njësinë nr.2, për të kuptuar se çfarë potenciali ka transformimi i asaj zone të Tiranës së Re”, deklaroi Veliaj.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu