Plotësimi i Gjykatës së Lartë me 15 anëtarë, vendimet pilot dhe nisma e ndërmarr për pranueshmërinë e rekurseve, duket se ka çuar në uljen e stokut të dosjeve.
Zëvendëskryetari i kësaj gjykate, Sokol Sadushi, tha në një konferencë për mediat se në 3 vjet janë dhënë mbi 11 mijë vendime dhe aktualisht mbeten në pritje 29 mijë çështje për t’u gjykuar.
“Nga 36.000 çështje që prisnin për tu gjykuar në mars të vitit 2020, sot numri i çështjeve të prapambetura (backlog) është ulur në 29,010, ndërkohë që numri i vendimeve të marra për këtë periudhë është 11.764”.
Ndihmesë për uljen e numrit të dosjeve është edhe heqja dorë nga rekurset nga institucionet publike.
“Një zhvillim pozitiv gjatë vitit 2022 ka qenë edhe reflektimi i institucioneve publike për të tërhequr rekurset, për shkak të humbjes së aktualitetit apo të krijimit të bindjes se nuk e kalojnë testin e pranueshmërisë. Janë rreth 1,893 rekurse të tërhequra nga institucionet publike”.
Problem që ngarkon punën e Gjykatës së Lartë janë edhe rekurset e papranueshme nga ana ligjore, për të cilat Sadushi kërkoi nga aktorët e sistemit të jenë më të kujdesshëm.
“Moskalimi i testit të pranueshmërisë në afro 80% të rekurseve të paraqitura adreson shqetësimin tek aktorët e sistemit të drejtësisë, përfshirë avokatët privatë, Avokaturën e Shtetit, si dhe prokurorinë, të cilët kanë detyrimin të vlerësojnë ekzistencën e shkaqeve të mjaftueshme ligjore, përpara se të vendosin t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë”.
Gjatë 2022 janë regjistruar mbi 2 mijë çështje të reja. Janë dhënë mbi 6 mijë vendime gjyqësore, ose 412 vendime për gjyqtarë.