Daily Mail ka publikuar një artikull, ku shkruan se shqiptarët vijojnë aktivitetin e tyre, teksa reklamojnë në rrjetin social TikTok udhëtime 100% të sigurta drejt Britanisë. Në rastin konkret, trafikantët shqiptarë kërkojnë deri në 18 mijë paund për kalimin e sigurt drejt Britanisë, jo me gomone, por me kamionë.
Media britanike shkruan se ndryshe nga gomonet që kanë një vëmendje të shtuar gjatë kohëve të fundit, kalimi me kamion është më i lehtë.
Në një nga postimet e faqeve në TikTok, shkruhet se udhëtimi i radhës do të jetë nesër në mëngjes, me nisje nga Belgjika dhe me 100% sukses.
Një person i paidentifikuar, i cili punon për Daily Mail, i ka dërguar mesazh kësaj llogarie në Tik-Tok, duke i kërkuar një udhëtim për 2 persona. Çmimi i udhëtimit është 26 mijë paund. Ndërkohë një tjetër trafikant ofron udhëtime me avion me pasaporta të falsifikuara. Pasi i publikojnë këto postime, ato fshihen brenda disa ditësh për të humbur gjurmët.