U vodhën 15 mln euro evropianëve përmes mashtrimit në ‘Call Center’, në pranga dy persona

0
Gjigandi

Një tjetër grup kriminal që ka mashtruar qytetarë evropianë përmes ‘Call Center ‘ është shkatërruar pas një hetimi më shumë se 1-vjeçar i SPAK. Dy persona janë vënë në pranga ndërkohë që lajm i rëndësishëm është fakti se11 pasuri të paluajtshme në pronësi të personave të arrestuar (banesa, truall, aktivitete tregtare, etj) janë sekuestruar. Prokuroria e Posaçme dhe më pas edhe policia e Shtetit kanë bërë me dije se hetimi nisi pas një kërkese të prokurorisë së Pizës në  Itali dhe pas koordinimit me EUROJUST u ra dakord për krijimin e skuadrës së përbashkët hetimore.

3 ditët e fundit, në datat 13 deri më15 dhjetor, në Shqipëri dhe Itali u zhvillua operacioni policor “HOAX”, teksa në Shqipëri janë kontrolluar 13 ambiente, qqndra thirrjesh dhe banesa. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan, 162 pajisje kompjuterike (njësi kompjuterike, servera,DVR, etj) etj., aparate celulare, si dhe 11 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jusel Micit dhe Mendim Domit, të dy të prangosur. Ndër pronat e sekuestruara janë edhe biznese, shtëpi apo truall.

Ky operacion në Shqipëri u krye nga Njësia C – Hetimi i Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me BKH-në dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), i koordinuar nga Eurojust me seli në Hagë, Holandë.

SPAK bën gjithashtu me dije se hetimet nxorrën në dritë ekzistencën e një grupi kriminal që synonte kryerjen e mashtrimeve ndaj individëve të cilët banonin në Itali dhe në vende të tjera evropiane (Spanjë dhe Gjermani), të kontaktuar kryesisht përmes telefonit, i bindnin viktimat e tyre të investonin në instrumente financiare realisht inekzistente, me premtimin e normave të larta të kthimit.

“Në periudhën nga muajt e parë të vitit 2019 deri në verën e vitit 2020, është verifikuar që këto investime pilotoheshin në platformën e tregtimit financiar online “CAPITAL COIN EXCHANGE” e menaxhuar nga kompania “DIRECT COIN LIMITED” në Londër, e cila premtonte rendimente shumë të larta ekonomike”, njofton SPAK.

Numri i viktimave të këtij mashtrimi të madh në internet llogaritet në qindra persona dhe në një vlerë të përafërt 15 milionë euro. Gjatë operacioneve policore të zhvilluara u angazhuan shërbime policore të Shqipërisë dhe të Italisë. Ky operacion policor u zhvillua në Shqipëri dhe në Itali, ku u kontrolluan qendra thirrjesh, banesa dhe ambiente të ndryshme. Në kuadër të operacionit janë shoqëruar, arrestuar dhe shpallur në kërkim persona të dyshuar në lidhje me këtë aktivitet kriminal. Fusha e veprimtarisë së këtij rrjeti kriminal u arrit të ndërtohej nëpërmjet një aktiviteti shumë intensiv hetimor, i cili është kryer dhe nëpërmjet metodave speciale të hetimit, si në mënyrë tradicionale, ashtu dhe në rrjetet kompjuterike. Të dy të arrestuarit janë lënë në masën ‘Arrest me burg’ pas një vendimi të datës 12 dhjetor nga ana e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. J.M dhe M.D., tashmë janë nën akuzë për për kryerjen e veprave penale “Mashtrim kompjuterik” në formën e grupit të strukturuar kriminal.

RonaTyra

Ambientet e kontrolluara

1 subjekt call center, me 9 ambiente, në rrugën “Shyqyri Bërxolli”; banesa e shtetasit Jusel Mici në rrugën “Ramazan Bogdani”, Tiranë;  banesa e shtetasit Jusel Mici, në rrugën “Isa Boletini”, Tiranë; banesa e Mendim Domit, në rrugën “Bubulina”, Tiranë; banesa e shtetasit Mendim Domi, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, Tiranë.  Gjatë kontrolleve në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan: 450 euro, 18 700 lekë, 162 pajisje kompjuterike (njësi kompjuterike, servera, dvr etj), 1 aparat celular, dokumente në gjuhën italiane, kontrata pune, libreza pune, fatura banke, vula të përdorura për aktivitetin e jashtëligjshëm etj.

Operacioni në Itali

Operacioni u zhvillua dhe në shtetin italian, konkretisht në qytetet Cagliari, Padova dhe Piacenza, ku Karabinierët e Komandës Provinciale të Pizës zbatuan një urdhër paraburgimi dhe dy vendime sekuestrimi paraprake ​​për një vlerë totale mbi 3 milionë euro, të lëshuara nga GIP e Gjykatës së Pizës dhe Piacenza-s, sipas kërkesës të Prokurorisë Publike të Pizës, përkundrejt llogarive rrjedhëse dhe depozitave bankare në dispozicion të 3 subjekteve me kombësi shqiptare (2) dhe italiane (1), që ishin në një ortakëri, të cilave iu shtua edhe 1 subjekt tjetër i lidhur, por jo pjesëmarrës në strukturën kriminale, të gjithë të lidhur me bashkëpunim kriminal, për mashtrim të rëndë dhe ushtrim të ndërmjetësimit financiar pa autorizim përkatës, lidhur me investimet e shumave të mëdha parash në letra me vlerë dhe kriptovaluta dhe pastrim parash.

Si mashtroheshin qytetarët e huaj

Në fillim të huajve u garantohet një përfitim i menjëhershëm ekonomik kundrejt një investimi të vogël të viktimave, i cili shërbente për t’i bindur ata të investonin. Më pas, viktima, duke u konsultuar me një platformë mashtruese në internet, krejtësisht fiktive, bindej nëpërmjet një ndërmjetësuesi të rremë, që të investonte gjithnjë e më shumë para. Krijohej një “marrëdhënie besimi” midis investitorëve dhe këshilltarëve financiarë të rremë, i cili lejonte këta të fundit (përmes një programi kontrolli të veçantë në distancë) të hynin në faqet personale bankare të viktimave, duke marrë kështu njohuri për të dhënat dhe gjendjen ekonomike të këtyre të fundit dhe duke arritur, në shumë raste, për t’i bindur ata të investojnë të gjithë kapitalin ekonomik që kishin në dispozicion. Viktimat që zbulonin mashtrimin duke kërkuar marrjen e investimit, kontaktoheshin nga anëtarë të tjerë të vetëquajtur të kompanive të mbledhjes së borxheve, të cilët i bindnin të paguanin para shtesë për të rikuperuar shumat e humbura ose e shtynin të merrte aksione në kompani të reja, të krijuar nga vetë të dyshuarit.

Gjatë hetimit u konstatua se, nëpërmjet këtyre veprimeve, viktimat janë bindur të investojnë në kriptovaluta dhe në fund iu kanë përvetësuar shumat e marra dhe më pas janë bërë të paarritshëm për t’u kontaktuar. Analizat financiare, të realizuara nga hetuesit nëpërmjet verifikimeve të ndryshme, kanë nxjerrë në dritë faktin se paratë e viktimave në pjesën më të madhe të rasteve, shndërroheshin në kriptovaluta të lidhura me llogari rrjedhëse jashtë shtetit, në mënyrë që të bëheshin të pagjurmueshme. Aktivitetet hetimore, teknike, tradicionale dhe kibernetike kanë bërë të mundur identifikimin e eksponentëve më në zë të këtij rrjeti kriminal dhe në veçanti të atyre shtetasve të cilët drejtonin këtë skemë mashtrimi ndaj qytetarëve evropianë.

Policia këshillon që të gjithë investitorët e mundshëm evropiane dhe jo vetëm të jenë tepër vigjilentë kur bëjnë investime në rrjet dhe të kontrollojnë nëse faqet e internetit i përkasin ndërmarrjeve që veprojnë në mënyrë legjitime. Njësia e hetimit kibernetik bën me dije të gjithë shtetasit se mashtruesit janë mjaft të aftë për të krijuar afrimitet me viktimat potenciale: bisedat e tyre mund të jenë për situatë reale po ashtu edhe për situata personale apo sentimentale dhe familjare të viktimave dhe shfrytëzojnë vetminë e krijuar nga situata e ndryshme duke u vetofruar si miq dhe persona të besuar.

Viktimat mund të jenë si gra dhe burra të të gjitha moshave, shtëpiakë, profesionistë dhe pensionistë dhe që kanë dëshirën për të fituar para lehtësisht. Viktima, pas komunikimit me ta, krijon një besueshmëri kaq të madhe në raste të caktuara, duke e lejuar mashtruesin të kryejë çdo lloj veprimi i cili i shërben atij për të arritur qëllimin. Megjithatë mashtruesit nuk mjaftohen me kaq. Në raste të caktuara ata mund të kontrollojnë postën elektronike, fotografitë dhe dokumentet e viktimave. Të gjitha këto informacione shfrytëzohen për të pasur në dorë viktimat në rast se ata do të hezitojnë për të bërë investime të tjera. Jo në pak raste, atëherë kur mund të perceptojnë hezitime tek viktimat, mund të bëhen agresivë dhe të pamëshirshëm duke shfrytëzuar në këtë rast informacionet e marra dhe duke bërë të mundur që t’i bindnin duke u kërkuar financime për investimet e reja. Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që kanë informacion për këtë lloj veprimtarie kriminale, të denoncojnë në strukturat për hetimin e krimeve kibernetike, me qëllim mbrojtjen e pasurive të tyre dhe të qytetarëve të tjerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu