Intervista/ Ish-ambasadori Arben Çejku: Ndikimi rus në Ballkan ka synuar ekonominë, median dhe politikën. Koha do tregoj nëse marrëdhënia e Edi Ramës me Vuçiqin e ka ndihmuar apo dëmtuar Kosovën

0
Gjigandi

Sa i pranishëm është ndikimi rus në Ballkan dhe ku ka synuar Rusia të ndërhyjë? Sa e ndërgjegjshme është BE se ky ndikim ka synuar sfera ekonominë, politikën dhe median. A është e ndërgjegjshme edhe Tirana zyrtare se ky ndikim ka “futur” duart edhe në median shqiptare? Sa e ndërgjegjshme është qeveria në Tiranë se ka qenë e pavëmendshme te njerëzit të cilëve u ka besuar kontrollin kibernetik. A ka mësuar BE nga gabimet që ka bërë me Ballkanin? Priza.al ka biseduar me ish ambasadorin në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, z.Arben Çejku.

Lufta që Rusia i shpalli Ukrainës duket sikur e ka rritur vëmendjen e Perëndimit ndaj Ballkanit, por përsëri me hapa të ngadaltë. Si e shihni ju këtë?

Unë mendoj se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës nuk ka zgjuar vetëm qendrat diplomatike të perëndimit, por ka alarmuar të gjithë botën, siguria globale e së cilës është kërcënuar si asnjë herë më parë në këto 30 vitet e fundit. Është hera e pare, që një shtet sovran si Rusia, anëtarë i OKB-së (për më tepër anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të kësaj organizate), sulmon një shtet tjetër sovran, siç është Ukraina. Precedenti i aneksimit të Krimisë me kombinim strukturash ushtarake dhe agjenturore, në bashkëpunim me elementë pro-Rusë në këtë rajon, është pjesë e strategjisë putiniste për të rikthyer hegjemoninë sovjetike në zona të ish-Bashkimit Sovjetik, nën flamurin e shtetit rus. Sulmi kundër Ukrainës, nuk është i ngjashëm për nga forma me atë që Moska përdori në Krime, pavarësisht se në thelb synojnë të njëjtin objektiv; zgjerimin e territoreve të Rusisë së sotme në kurriz të vendeve fqinje.

Pas viteve 1990, kur ra perdja e hekurt, kemi parë herë pas here konflikte ndër-etnike dhe ndër-fetare, kërcënim nga terrorizmi dhe ekstremizmi fetar, por në asnjë rast nuk ka patur një sulm klasik nga një shtet kundër një shteti tjetër, siç e aplikoi Rusia kundër Ukrainës. Kjo luftë ka tronditur themelet e strukturave të sigurisë euro-atlantike dhe më gjerë, qoftë edhe për arsye se askush nuk besonte se një nga anëtarët më të rëndësishëm të OKB-së, e para do t’i vinte kazmën konceptit të sigurisë globale duke kërcënuar hapur demokracitë e reja.

Nga kjo pikënisje, e gjithë struktura politikbërëse perëndimore, e gjithë makineria e strategjistëve të sigurisë dhe rrjeti ekonomiko-financiar, janë vënë në kushtet e emergjencës për t‘iu përgjigjur në mënyrën më të qartë dhe unanime këtij sulmi, që erdhi nga Moska dhe që ka gjasa të zgjasë akoma.

RonaTyra

Personalisht mendoj se, në raport me Ballkanin Perëndimor, reagimi nga BE ka qenë korrekt dhe brenda logjikës së zhvillimit të ngjarjeve. Për fat të mirë, një nga vendet e rajonit tonë, Shqipëria, është anëtarë jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mendoj se ajo ka luajtur një rol shumë konstruktiv në raport me fuqitë e mëdha dhe vendet e rajonit tonë. Po ashtu, SHBA dhe NATO kanë intensifikuar hapa serioz të vëmendjes dhe ndihmës konkrete në fushën e sigurisë për vendet e rajonit tonë, përfshi Shqipërinë. Sigurisht, Kosova dhe Bosnje Hercegovina (me fokus e ashtuquajtura Republika Serbska) janë më afër në lupën e sigurisë euro-atlantike, për shkak të disa specifikave, që tashmë dihen.

Media që financohen me para Ruse. Një vend si SHBA nëpërmjet ambasadores Yuri Kim deklaron se kanë informacion, por nuk jep emra.

I kam ndjekur me shumë vëmendje qëndrimet publike të Ambasadores së SHBA-së në Tiranë, zonjës Yuri Kim lidhur me këtë çështje. Për hir të së vërtetës, nuk është hera e parë që flitet për influenca të “faktorëve të tretë” në rajonin tonë, duke konsideruar Rusinë si njërin prej tyre. Qëndrimet e Presidentit Biden, të Departamentit të Shtetit, Kongresit, Senatit, FBI-së dhe shumë agjensive dhe organeve të tjera të shtetit amerikan, kanë qenë në unison dhe kanë shprehur shqetësime të vazhdueshme për kërcënimet ruse ndaj demokracive të reja, të cilat e kanë pikënisjen si shtrirje influencash ekonomike dhe vijojnë më tej me operacione sekrete kundër sigurisë kibernetike dhe më gjerë.

Personalisht nuk mund të spekuloj e të them se kush janë këto media, sepse është folur në tërësi se ka rrjedhje të fondeve ruse në media të caktuara në rajonin e Ballkanit dhe Shqipëri. Pas deklaratave të Ambasadores Kim, u takon organeve shtetërore që merren me sigurinë dhe qarkullimin e fondeve të ndryshme, që të raportojnë në Komisionin e Sigurisë në parlament, tek Presidenti, tek Kryeministri dhe, natyrisht, ta luftojnë këtë fenomen. Në emër të medias dhe fjalës së lirë, nuk mund të justifikohen financime të atyre vendeve, që janë në armiqësi dhe kanë qëllime jomiqësore ndaj vendit tonë. Unë mendoj që jo vetëm Rusia, por duhet një kontroll dhe analizë edhe për fonde, që vijnë nga vende të tjera, të cilat kanë axhenda anti-demokratike ndaj vendit tonë, përfshi këtu edhe financime nga grupet krimale.

SHBA është një superfuqi dhe vend mik me Shqipërinë dhe të dhënat që ajo ka për persona apo çështje të tjera, që lidhen me sigurinë euro-atlantike, i mban për vete dhe nuk e ka për detyrë t’i ndajë patjetër me publikun e gjerë. Në linjë zyrtare, kam besim se në kuadër të partneritetit të ngushtë, kanë shprehur shqetësimet e tyre. Por i takon shtetit shqiptar të veprojë, sepse ambasadori amerikan, në asnjë vend, nuk është zgjatim ekzekutiv i qeverisë mikpritëse, por partner për interesa të përbashkëta, që respekton ligjet e vendit të tij dhe të vendit ku shërben.

Sa e madhe është vala rusofile në Shqipëri, nëse do ta quajmë kështu?

Nuk do ta konsideroja “valë rusofile”, grupin e njerëzve nostalgjik ndaj kulturës dhe artit rus, apo të atyre që kanë ndarë disa vite jetë në kuadër të miqësisë së dikurshme Shqiptaro – Ruse. Nuk vjen rreziku nga njerëzit e kulturës dhe artit, por problem përbëjnë ndërvarësitë ekonomiko-financiare, që kanë kompani të caktuara me kompanitë ruse, në formë të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë. Korrupsioni në nivelet e larta, nuk është vetëm një deformim i qeverisjes demokratike, por një rrezik për sigurinë tonë kombëtare. Psh, njerëz të korruptuar apo të korruptueshëm, që punojnë në sistemet e sigurisë kibernetike, mund të krijojnë akses tek hakera të ndryshëm kundrejt pagesave. Një ekspert i FBI-së për sulmet dhe mbrojtjen kibernetike, pati thënë se “siguria kibernetike nuk është e mjaftueshme vetëm nga investimi në teknologji, por duhet me patjetër, investimi në besnikërinë e personave që menaxhojnë këtë teknologji”. Kjo do të thotë, që vëmendja duhet përqendruar tek aktorë dhe faktorë konkret, që përbëjnë realisht një urë lidhëse mes interesave ruse dhe Shqipërisë.

Është lënë qëllimisht kjo valë të ketë një ndikim kaq të madh apo është thjesht interes i ngushtë, çështje financimi?

Në drejtim të hetimeve horizontale dhe vertikale për influencën ruse në Shqipëri, e shprehur kjo nga të gjitha format e prezencës së saj, qoftë edhe nga depërtimi në tregun e disa shërbimeve nëpërmjet partnerëve të ndërmjetëm, është bërë shumë pak punë. Zyrtarisht dhe publikisht, disa herë pohohet se, “influenca ruse në Shqipëri, është e papërfillshme”. Nëse kjo është një strategji për të vënë në gjumë aktorët, që punojnë për ndikimin rus në vendin tonë, është në rregull, por në qoftë se ky është një konkluzion i sinqertë i organeve tona të sigurisë, mendoj se nuk është korrekte. Mjaftoj t’ju kujtoj këtu përzënien (shpalljen non grata) të disa diplomatëve rusë nga ana e shtetit shqiptar dhe anasjelltas. Ata nuk u përzunë se hynë me makinë në semafor të kuq, por pikërisht se hynë me semafor të kuq në sferat e sigurisë sonë kombëtare. Prandaj, unë do të sugjeroja shumë më tepër seriozitet në trajtimin e këtij fenomeni, me fokus depërtimin e financave dhe interesave ruse në Shqipëri e rajon.

Ku shihet më e përhapur kjo valë, ky ndikim rus në Ballkan?

Me aq të dhëna sa janë publikuar dhe analiza që janë bërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, duket se përpjekjet e Rusisë për ndikim në Ballkan kanë synuar ekonominë, median dhe politikën.

Dhe sa fajtore mund të shihet BE në këtë rritje të ndikimit Rus? Kam parsysh këtu që një afrim më i shpejtë me BE nuk do e lejonte Rusinë të kishte një ndikim të tillë në Ballkan? Një Ballkan jashtë BE-së.

Bashkimi Europian, në luftën e përgjakshme ndër-etnike në ish-Jugosllavi pas viteve 1990, u gjend i papërgatitur, ashtu si edhe sot kur shikon një skenë të përgjakshme në kufirin e saj. Lufta në Ukrainë ka zgjuar plotësisht Europën dhe, mendoj se Brukseli është në fazën e një leximi me perspektivë pozitive të qasjes ndaj Ballkanit. Nëse BE do të kishte operuar më shpejt drejt zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, disa kosto për të dhe për ne nuk do të ishin sot. Kriza ekonomike, që u diktua nga lufta në Ukrainë erdhi fill pas dy vitesh të vështira ekonomike të Pandemisë së Covid-19 dhe, kërkojnë që Ballkani Perëndimor, sot, më shumë se kurrë, të mirëkuptojë dhe të bashkëpunojë ngushtë me Brukselin. Ne kemi marrë ndihma të mëdha financiare nga BE, të cilat nuk do të mungojnë as në të ardhmen. Por, nëse e konsiderojmë BE një partner strategjik, atëherë edhe ne si rajon, duhet të ofrojmë lehtësira, që si koalicion kundër luftës të dalim nga kjo situatë me sa më pak humbje dhe dëme.

Zoti Çejku, lufta që Rusia i shpalli Ukrainës e ka shtuar këtë ndikim. Është Serbia i vetmi vend që e provon këtë apo jo vetëm?

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, është një faktor që për herë të parë ka ndikuar në polarizimin e opinionit të gjerë në Serbi. Forcat pro-demokratike dhe pro-Europiane atje, nuk janë pajtuar me këtë agresion. Madje edhe vetë qeveria serbe, ka mbajtur disa qëndrime në OKB që e kanë zemëruar Rusinë. Serbia po shikon, se si Rusia po e humbet luftën kundër Ukrainës. E para humbje ishte dënimi nga gjithë bota që mori Putin dhe izolimi i tij ndërkombëtar nga vende e qeveri demokratike, të pasuara me sanksione euro-amerikane. Humbja e afërt e Putin në aventurën e tij kundër Ukrainës, do të çlirojë energji shumë pozitive edhe në Serbi, të cilat do të kërkojnë një anëtarësim të saj në NATO.

Por ndërkohë rasti i Serbisë është një tjetër tregues që BE nuk vepron. Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por ndërkohë as BE nuk ka vendosur sanksione ndaj Serbisë.

Serbia nuk i është bashkuar koalicionit perëndimor të sanksioneve kundër Rusisë, por ndërkohë ka dhënë shenja të qarta të mospajtimit me agresionin rus kundër një vendi të pavarur dhe Sovran. BE e ka të qartë që pavarësimi i Serbisë nga influenca e trashëguar ruse është një proces delikat dhe i vështirë. Rusia ka investuar me të gjitha energjitë e veta në Serbi, me qëllim mbajtjen e saj jashtë influencës së NATO-s. Rusia e sulmoi Ukrainën, pikërisht për shkak të anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO. Rusia kërkoi si “kompromis” deklarimin e Ukrainës me statusin e “neutralitetit” karshi NATO-s dhe Rusisë. Serbia mban në fuqi politikën e saj të “neutralitetit” karshi NATO-s, por nga ana tjetër, shumë politikanë dhe analistë serb thonë se në një të ardhme jo të largët, edhe Serbia do të bashkohet me NATO-n. E, pikërisht humbja e Rusisë në betejën e saj kundër Ukrainës dhe kundër perëndimit, mund të shërbejë si pikë kthese edhe për Serbinë.

BE po përpiqet ta mbajë Serbinë në kopshtin e saj dhe nuk ka interes që t’i vërë sanksione dhe ta barazojë me Rusinë. Për më tepër, Serbia është vend kandidat për në BE dhe ka hapur disa nga kapitujt. Nuk duhet ta shohim bardh e zi marrëdhënien e BE-së ndaj Serbisë, por në kompleks të një strategjie afatgjatë, që ka BE ndaj Ballkanit Perëndimor dhe anasjelltas.

Në fakt edhe vetë BE ka bërë gabime strategjike. Pothuajse i gjithë blloku dhe ekonomia varen nga gazi rus.

BE ka patur një marrëdhënie të caktuar ekonomike me Rusinë. Madje, edhe në kuadër të sigurisë së kontinentit tonë, ka patur partneritet dhe bashkëpunim, përfshi NATO-n. Pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, Rusia ishte një aleat i perëndimit në luftën kundër terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera. Kthesa e mosbesimit dhe mosbashkëpunimi u shënua, në kohën kur Rusia aneksoi Krimenë.

Aktualisht po shohim, se si BE dhe vende të caktuara, që kishin varësi nga gazi rus, po ndërmarrin hapa të vështirë për të prerë lidhjen me këto furnizime dhe për të gjetur zgjidhje alternative. Ky dimër do të jetë shumë i vështirë për qytetarët e shumë vendeve të BE-së, por nga ana tjetër, në një perspektivë afatgjatë do ta fuqizojë ekonominë europiane. Vendeve të BE-së do t’u mungojë ngrohja nga gazi rus, por Rusisë do t’i mungojnë të ardhurat nga shitja e gazit tek BE dhe kjo do ta thellojë dramatikisht krizën ekonomike të Rusisë, e cila ka kohë që lëngon.

Kush është më i dëmtuar ekonomikisht nga kjo luftë (Rusi-Ukrainë) BE apo vetë Rusia?

Nga një analizë e përgjithshme duket që BE ka pësuar disa vështirësi dhe po përpiqet që t’i kapërcejë me sa më pak humbje. Nga ana tjetër, Rusia, çdo ditë e më shumë që mban ushtrinë e saj në Ukrainë apo përpiqet të mbushë radhët e saj me mercenarë, pëson dëme të mëdha ekonomike. Një ditë, qytetarët rusë, do të jenë përballë humbjes së merituar të luftës absurde kundër fqinjit dhe mikut të tyre, Ukrainës, dhe po ashtu përballë një gremine financiare dhe ekonomike ruse, e cila do të shkaktojë probleme të brendshme politike e sociale.

Zoti Çejku dhe sa e rrezikshme është kjo valë ndikimi i Rusisë në Ballkan? A rrezikon ajo Paqen?

Lufta që po zhvillon Rusia kundër Ukrainës, në Ballkan nuk ndjehet si kërcënim i drejtpërdrejtë, por si valë që ndikon në klimën e paqes që gëzojmë prej disa vitesh. Dihet prej të gjithëve, se sa mund, gjak, djersë, diplomaci dhe energji u harxhuan që nga viti 1995 e deri në 2001, për të vendosur themele të qëndrueshme paqeje dhe sigurie në rajonin tonë. Fitorja hipotetike e Rusisë, sigurisht që do të ndikonte shumë negativisht në prishjen e ekuilibrave të brishtë paqësorë në rajon, kryesisht në Bosnje Hercegovinë dhe në Kosovë. Prandaj BE, bën mirë që do të liberalizojë vizat për Kosovën dhe duhet të jetë më pro-aktive në mbështetjen e projekteve konkrete për zhvillimin e vendeve të varfra të rajonit tonë.

Ndërkohë, në Shqipëri thuhet se me para ruse është financuar edhe partia më e madhe në opozitë, PD, kur në krye të saj ishte Lulzim Basha.

Kjo është një çështje, për të cilën është folur publikisht prej disa vitesh dhe rreth saj ka patur edhe hetime nga ana e prokurorisë ndaj zotit Basha. Është e vështirë të dallohet ngjyra politike e këtyre akuzave dhe faktet e shkeljes ligjore, për të cilën pretendohet. Përdorimi politik i kësaj çështjeje, më shumë e ka mjegulluar, sesa e ka sqaruar atë. Unë, nuk besoj që dikush në PD, të ketë marrë para ruse. Besoj që ka ardhur koha që, jo vetëm ky rast, por edhe shumë raste të tjera të përfshirjes së politikanëve të lartë shqiptar në kontrata lobimi me kompani amerikane, të shqyrtohen nga një komision Ad Hock i parlamentit shqiptar, me qëllim që të hartohet një ligj mbi këto lloj transaksionesh dhe burimet e tyre. Blerja e influencës amerikane, deri më tani rezulton të jetë bërë më shumë për interesa personale të liderëve të caktuar, sesa për realizim të projekteve të përbashkëta. Ambasada e SHBA në Tiranë është adresa më serioze dhe e duhur për të bashkëpunuar me SHBA, ndërsa lobimet në Amerikë, nuk rezultojnë se kanë sjellë ndonjë dobi specifike. Psh, sa kanë ndikuar këto lobime për sjelljen e bizneseve amerikane në Shqipëri? Sa kanë ndikuar këto lobime në liberalizimin e vizave mes dy vendeve tona? Sa kanë ndikuar këto lobime për sjelljen e një kulture demokratike amerikane në Shqipëri? Ka shumë e shumë pyetje të tjera, që çdo qytetar i di më mirë sesa unë. Ndaj theksoj se, duke marrë shkas nga debati për pagesat që kanë bërë të dy krahët e politikës tek kompani lobimi në SHBA, të krijohet një komision që të rishikojë ligjin për financimin e partive politike dhe financimet nga partitë politike jashtë vendit.

Për sa më sipër, këto janë çështje që janë në dorën e drejtësisë dhe i takon asaj të thotë fjalën e fundit sa më parë të jetë e mundur, me qëllim që retorika politike të mos e helmojë akoma më shumë ambientin social ku jetojmë.

Kjo luftë, a e ka shkëputur vëmendjen e BE dhe SHBA ndaj Kosovës? Dhe si i shihni ndodhitë e fundit atje, përfshirë dhe vendimin e kryeministrit Kurti për serbët ne veri të Kosovës.

Zhvillimet në Kosovë, në përgjithësi janë shoqëruar me tensione mes saj dhe Serbisë. Që nga viti 2018 nuk ka asnjë progres në dialogun mes tyre, aq sa mund të them se as dialog nuk ka patur. Javët e fundit pati një dinamikë intensive takimesh me ndërmjetësit ndërkombëtarë, por ende nuk kemi rezultate konkrete. Lufta në Ukrainë, sigurisht që ka afruar Kosovën në axhendën e përditshmërisë diplomatike euro-atlantike, sepse perëndimi është investuar shumë për paqen dhe sigurinë në Kosovë. SHBA, NATO dhe BE nuk do të lejojnë në asnjë rast cenimin e sigurisë në Kosovë, pavarësisht zhvillimeve në Ukrainë.

Kryeministri Kurti, ka bërë disa përpjekje për të rikthyer vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe të Serbisë, tek pika kryesore e problemit që ai ka si përfaqësues i një shteti që nuk ka një karrige në OKB. Serbia nuk ka zbatuar marrëveshje të nënshkruara në Bruksel dhe Kurti kërkoi reciprocitet për zbatimin e tyre. Mirëpo, nga ana tjetër, në tryezën e tij të punës është edhe marrëveshja e nënshkruar në Uashgington në shtator 2021. Pra, ecja e tij përpara ka përparësitë dhe vështirësitë e saj.

BE, nëpërmjet të dërguarit të saj special, Lajçak, i përforcuar nga dy të dërguar të tjerë nga Gjermania dhe Franca si dhe i dërguari special nga Britania e Madhe dhe, qasja konseguente e SHBA me të dërguarit e saj special, tregojnë seriozitetin e angazhimit të perëndimit në këtë proces. Natyrisht, që dinamikën nuk duhet ta shohim vetëm tek BE apo perëndimi në përgjithësi, por edhe tek vetë Kosova. Kosova duhet të konsolidojë dialogun e saj të brendshëm që duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke marrë në konsideratë arritjet dhe sfidat.

Një refuzim i përsëritur – madje një injorim mund të them nga ana e Serbisë për të pranuar Kosovën shtet. Si e shihni rolin e BE e SHBA në këtë proces?

Serbia ka përdorur dy lloj retorikash; një për brenda dhe një për jashtë! Për interesa politike të brendshme, liderët e saj, përfshi Vuçiqin, kanë ruajtur retorikën e vjetër të mospranimit të faktit, që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Në dialog me ndërkombëtarët, kërkojnë të blejnë kohë dhe të kërkojnë kompromise “të dhimbshme”. Në fakt, kanë ofruar gjatë këtyre viteve shumë “kompromise”, përfshi ndarjen e veriut të Kosovës në 2018. Mirëpo, ata kanë deklaruar disa herë se janë nën një presion ndërkombëtar të fuqishëm për të pranuar Kosovën dhe më kujtohet se gjatë vizitës së saj në veri të Kosovës, Kryeministrja Brnabiq, u përpoq të flasë me një gjuhë europiane duke shmangur provokimet. Ndryshe nga sa ka bërë herët e tjera. Ajo dha garanci për kujdesin e Beogradit ndaj serbëve në Kosovë, gjë që është normale. Por nga ana tjetër, ajo nuk pati retorikë provokuese ndaj Kurtit dhe Kosovës, përsa i përket marrëdhënies mes dy vendeve. Kjo vizitë dhe vizitat e të dërguarve ndërkombëtarë, dukeshin në një unison, përfshi edhe zgjidhjen praktike të reciprocitetit të targave dhe çështjeve të tjera kufitare. Këto janë hapa pozitive.

Unë besoj se një presion në rritje dhe i koordinuar i SHBA – BE-së, do të sjellë rezultate konkrete në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

A shihet që Vuçiç është më i favorizuar në këtë proces?

Vuçiq, për shkak të viteve që ka në krye të shtetit serb, përpiqet të dëshmojë “profesionalizëm” dhe relaks në takimet me Kurtin, duke synuar krijimin e një imazhi varësie të Kosovës ndaj Serbisë. Ai ka patur si avantazh në qasjen e tij “europianiste” edhe marrëdhënien miqësore me Kryeministrin Rama. Kjo marrëdhënie ka krijuar një disbalancë dhe problem në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës. Gjërat kanë shkuar aq larg ndonjëherë, sa Vuçiq është paraqitur si “viktimë” dhe Kurti si “agresor”.. Të gjithë janë dakord, që e kaluara e përgjakshme të lihet pas krahëve, por kjo duhet të ndodhë duke bërë hapa së bashku drejt njohjes reciproke dhe bashkëpunimit të sinqertë në të gjitha fushat. Për aq kohë sa nuk ka progres në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, të gjitha ndërmarrjet dhe sforcimet diplomatike, qoftë dhe nga Tirana, janë pa rezultat dhe kundër produktive.

Duke e lexuar nga këndvështrimi i BE-së, mendoj se Brukseli e pa Vuçiqin si personin e mundshëm, me të cilin dialogohet dhe mund të arrihet një marrëveshje. Shenja të tilla edhe ai vetë ka dhënë, pavarësisht se Rusia e ka mbajtur nën saç. Rizgjedhja e tij në krye të shtetit, tani duhet shfrytëzuar nga e gjithë burokracia europiane për ta detyruar atë të pranojë Kosovën, sepse deri më tani kjo burokraci i ka pranuar atij shkelje demokratike dhe sjellje autokratike, pikërisht për atë që tek figura e tij, tek lidershipi i tij shihej mundësia e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse, Kosovë – Serbi. Nuk duhet humbur asnjë minutë.

Open Balkan… një realitet që dëmton Kosovën më shumë apo Shqipërinë?

Jam i interesuar ta shoh dhe rilexoj këtë iniciativë rajonale, në kuadër të propozimit francez për Komunitetin Politik Europian dhe takimin e Procesit të Berlinit, që liderët rajonal do të kenë në nëntor në Berlin. Ka patur shumë diskutime rreth kësaj teme dhe, para se të flasim për “dëmet”, do mirëprisja që iniciatorët të flasin edhe për “dobitë” e deritanishme. Ky është një proces që ka marrë një konsensus nga partnerët tanë strategjik. Retorika politike, pro e kundër, mendoj se e ka dëmtuar si nismë për bashkëpunim rajonal dhe ka nevojë për rifreskim të koncepteve bazë dhe përfshirjen e Kosovës, si kusht për ta konsideruar të dobishëm. I nisur si “Mini-Schengen”, ky projeksion i bashkëpunimit në rajonin tonë, duhet të ketë gjithëpërfshirje dhe vullnet më të mirë politik, me qëllim që Ballkani Perëndimor t’i ngjajë sa më shumë BE-së.

Dhe një kryeministër si Edi Rama, që legjitimon publikisht refuzimin që Vuçiç i bën njohjes së Kosovës shtet. E ka dëmtuar edhe kjo çështjen e Kosovës?

Nuk besoj se ka ndonjë deklaratë apo qëndrim të Kryeministrit Rama që “legjitimon” refuzimin e Vuçiq për të mos njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ai, madje e ka deklaruar disa herë publikisht, se kjo është një nga pikat që i dallon. Por, pyetja është se, sa ka ndikuar marrëdhënia miqësore e zotit Rama me Vuçiq, që ky të përfitojë politikisht në kurriz të Kosovës? Mendoj se ka patur një disproporcion marrëdhëniesh mes Tiranës e Beogradit, në raport me ato mes Tiranës e Prishtinës. Uroj që koha të vërtetojë që kjo miqësi, Rama – Vuçiq, të ketë shërbyer për zbutjen e qëndrimeve serbe ndaj Kosovës. Hapi i parë që do ta dëshmonte këtë, do të ishte, p.sh, përfshirja e barabartë e Kosovës në Open Balkan dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse Prishtinë – Beograd.

Situata në Maqedoninë e Veriut. A ka edhe atje një krizë që vjen edhe për shkak të Bullgarisë dhe kërkesave apo kushteve për statusin e vendit kandidat?

Maqedonia e Veriut është një nga vendet që ka harxhuar kohë dhe energji për dialog me fqinjët dhe, më në fund ja ka dalë që të gjejë kompromisin e duhur dhe ta pranojë atë. Kjo ndodhi, p.sh, me Greqinë. Natyrisht u humb shumë kohë e dobishme në vonesat me veto-n greke dhe kryeneqësinë e ish-Kryeministrit Gruevski, që ndërmori edhe disa investime etno-politike. Por, falë marrëveshjes së Prespës, sot MV është në NATO dhe kandidatë për në BE.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë dy vende fqinje dhe me marrëdhënie shumë të ngushta miqësore mes tyre. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për Protokollin që ata kanë nënshkruar pak kohë më parë, por për vetë bazën dhe historinë e këtyre marrëdhënieve. Bullgaria është ndër të parat vende, që ka njohur fqinjin e saj si vend të pavarur me emrin “Republika e Maqedonisë” dhe ka qëndruar në krah të Shkupit gjatë gjithë këtyre viteve të vështira. Tradita e një bashkëpunimi të tillë miqësor nuk duhet fshirë brenda një dite as nga ana e Shkupit e, as nga ana e Sofjes.

Marrëveshja e ndërmjetme, që lejoi Maqedoninë e Veriut të hapë negociatat me BE, është e pamjaftueshme dhe ajo duhet plotësuar në raport me angazhimet që ka marrë Shkupi zyrtar. Temat që adresojnë pretendimet e Bullgarisë, të cilat lidhen kryesisht me gjuhën, kulturën dhe etninë bullgare në MV, janë sensitive dhe kërkojnë urtësi dhe europianizëm. BE është një familje e madhe gjuhësh e kulturash, dhe aty është edhe Bullgaria. Nesër do të jetë edhe MV. Nga ky këndvështrim perspektiv, kontesti mes dy vendeve ka zgjidhje. Nëse palët shohin prapa në histori, atëherë as “baba Vanja” (parashikuesja e famshme) nuk do të dijë të thotë se si mund të zgjidhet ky kontest. E kaluara është më e komplikuar se e ardhmja dhe, uroj e besoj se ekipet që po punojnë në të dyja anët e kufirit, do ta gjejnë kompromisin e duhur.

Në vijim të kësaj, do theksoja se shqiptarët kanë luajtur një rol historik për stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut, me qëndrimet e tyre europianiste dhe integriste. Edhe në rastin e kontestit me Bullgarinë, duke mos qenë palë që ka konflikt interesi, mund të luajë një rol akoma më të dobishëm në bisedime.

Natyrisht, faktori ndërkombëtar, ka një histori të ndikimit të vet në zhvillimet positive në MV dhe besoj, edhe këtë herë do të investohet në dobi të paqes, stabilitetit dhe integrimit Euro-Atlantik të të gjithë rajonit tonë.

Kriza në Malin e Zi.. A ka kjo krizë prapaskena apo Abazoviç veproi teknikisht gabim?

Kriza aktuale politike në Malin e Zi, ka shkaqe më të thella sesa ato që duken. Ato lidhen me llojin e demokracisë që është aplikuar në këtë vend, me problemet e korrupsionit në nivel të lartë, me akuzat për përfshirje të politikanëve në rrjete kriminale të trafiqeve të mëdha, në mosplotësimin e kërkesave legjitime të shqiptarëve në nivelin e duhur si dhe me ekonominë e varfër dhe konçensionet e pastudiuara me kinezët. Po ashtu, Mali i Zi, është një nga vendet, ku Rusia ka synuar në mënyrë permanente të ketë ndikimin e saj dhe ta trazojë atë për interesat e veta. Pavarësia e Malit të Zi u arrit me shumë vështirësi dhe ajo nuk do të ishte reale, pa votën masive të shqiptarëve. Partitë politike serbe, fatkeqësisht kanë qenë kundër pavarësisë dhe disa proceseve integruese, si ai në NATO. Abazoviq është produkt i një realiteti problematik politik dhe pavarësisht përpjekjeve të tij për të realizuar një “gjithëpërfshirje” në emër të një demokracie funksionale në Main e Zi, dështoi. Në këtë dështim ai ka fajet e tij, edhe sepse u konsumua shumë shpejt, duke u shpërndarë në disa problematika njëherësh pa patur një strategji afatgjatë. Në gjithë këtë kohë, natyrisht, Abazoviq fitoi një eksperiencë unike personale për qeverisjen e vendit dhe, pavarësisht zgjedhjeve, ai është një figurë politike interesante dhe me peshë në Malin e Zi.

Zgjedhja e Georgia Meloni në Itali a është një element për t’u shqetësuar në lidhje me afrimitetin me Rusinë?

Italia është një vend me demokraci tradicionale dhe di të përballojë çdo sfidë. Dikur, risi e zgjedhjeve ishin “Pesë yjet”, ndërsa tani Meloni. Unë mendoj se vota për Melonin ishte rrjedhojë e zhgënjimit të qytetarëve prej qeverisjes së majtë. Ishte një votë revolte, të cilën e kemi pare dhe mund ta shohim kudo. E tillë ishte pak a shumë edhe vota ndaj Trump në SHBA, ku retorika e tij, zinte vend tek qytetarët e zakonshëm. Shkëputja e lidershipeve nga baza dhe tendencat autokratike, në disa raste, provokojnë votë që shkon nga qendra drejt të majtës eksptreme apo nga qendra e djathtë drejt ekstremit. Kjo u pa edhe me AfD-në gjermane, disa vite më parë. Pra, duhen lexuar arsyet pse fitoi Meloni, para se ta etiketojmë atë të “afërt” me Rusinë. Le Pen ishte në prag të fitores, Orban është në pushtet, ndërsa Meloni sapo ka ardhur. Pyetja shtrohet, a ka nevojë edhe vetë Europa të lexojë më mirë marrëdhënien e burokracisë së saj me popullin e thjeshtë, të cilin të mos e shohë vetëm si taksapagues? Janë një sërë problemesh, përfshi familjen, emigracionin, korrupsionin, papunësinë, mplakjen e popullsisë etj, të cilat janë themelore për një shoqëri dhe nuk duhen anashkaluar.

Në përfundim, unë nuk besoj se Meloni ka nevojë të ketë marrëdhënie me Moskën, kur ajo ka angazhime konkrete për vendin e vet, Italinë dhe Brukselin. Retorika e saj gjatë fushatës ishte e ashpër, kryesisht denoncuese, por në qeverisje nuk besoj se do ta provokojë Italinë për lëvizje jashtë kursit euro-atlantik. Për më tepër që, në qeverinë e re, ka edhe parti të tjera të koalicionit, që nuk do e lejonin një kapërcim amatoresk të interesave strategjike të vendit nga Brukseli tek Moska!

Arben Çejku, ish-Ambasador në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, Drejtor i Qendrës ACGG, Tiranë dhe anëtar i Bordit Drejtues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptar

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu