Janë zbardhur detaje nga vrasja e 24-vjeçarit shqiptar Blerim Kola gjatë një përleshje me thika me një shtetas maqedonas në Hamburg të Gjermanisë.
Kujtojmë se Kola mbeti i pajetë prej goditjeve të njëpasnjëshme me thikë që mori nga një 36-vjeçar maqedonas, me të cilin njihej prej shumë kohësh dhe ishte takuar për të sqaruar një konflikt të mbartur në kohë. Sipas mikut të ngushtë të Kolës, një shqiptari nga Podujeva të quajtur Agan Mehmeti, sherri ka ndodhur për shkak të një vajze, e cila ishte e dashura e Blerimit, por më parë kishte qenë në një lidhje me shqiptarin e Maqedonisë që i mori jetën.
Dëshmitari shprehet se Blerimi e ka njohur vajzën në biznesin e pronarit të tij, i cili prej xhelozisë, por edhe prej një borxhi të mbartur ndaj 24-vjeçarit shqiptar, i ka marrë këtij të fundit jetën.
“Vajza ka qenë e dashura e Blerimit, por më parë ka qenë e dashur e pronarit ku ka ndodhur sherri. Nuk e dimë nëse ka raportuar në polici dhe nuk e njohim vajzën nga afër. Nuk e kanë publikuar në gazetë. Janë njohur bashkë dhe kanë vendosur të jenë bashkë, ndoshta si ka ardhur mirë atij pronari. Nuk dihet a ia ka pas Blerimi atij apo ai Blerimit. Përpara katër muajsh ata kanë pasur një problematikë dhe kanë qëndruar 24 orë të arrestuar në polici, e cila i ka liruar më pas me idenë se ishte mbyllur ky sherr. Sipas informatave e kanë pasur të ndaluar t’i afrohen njëri-tjetrit në distancë 500 metra. Por e kanë thyer urdhrin e mbrojtjes”, tha Mehmeti.
Sipas mikut të 24-vjeçarit, ditën kur ka ndodhur sherri Blerimi ka pasur në xhep një thikë të cilën e përdorte në profesionin e tij si bojaxhi, me të cilën është vetëmbrojtur ndaj dy shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët i kanë dalë zot problemit të mikut të tyre që ishte personazhi kryesor i konfliktit. “Atë ditë që janë therur kanë ardhur ndihmat e shpejtë. Thuhet se Blerimi ka vdekur ditën tjetër (e premte) në mëngjes. Ditën tjetër ka dhënë shpirt Blerimi në spital. Një goditje me thikë e ka marrë afër zemrës dhe dy të tjera në bark. Daja i vetë ka shkuar atje por nuk ishte kryer hala autopsia dhe merren autoritetet me këtë. Procedurat do zgjasin edhe një javë tjetër, derisa t’i bëjnë autopsinë’, rrëfeu miku i 24-vjeçarit.
Sipas tij personi tjetër, pra 36-vjeçari që e ka goditur me thikë është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore prej kundërpërgjigjes së Blerim Kolës.
“Thuhet që është hala në rrezik për jetën, pasi është i therur në fyt, në pozicion të keq. Blerimi i ka shkaktuar njërit në krye plagë për vetëmbrojtje dhe tjetrit në fyt. Këta janë ata që i kanë ndihmuar atij shefit nga Maqedonia e Veriut. Vetëm ata shokët e tij kanë plagë. Ajo thika është përdorur në ndërtim si bojaxhi. E ka pasur me vete për punë dhe ka qenë me uniformë pune kur ka shkuar në lokal”, tregoi Mehmeti.
Më tej ai rrëfeu se ai është mik i afërt i viktimës dhe dajës së tij, me të cilin është duke mbledhur edhe fonde për të bërë të mundur transportin e trupit të të ndjerit për në Shqipëri.
“Daja i Blerimit është i tronditur, po mbledhim paret për të sjellë trupin. Jemi organizuar me njerëzit që njohim. Por kanë dhënë pare shtetas të huaj si kurd dhe boshnjakë. Më së shumti ka dhënë para e dashura ime që është polake që e ka njohur Blerimin dhe i ka ardhur keq. Unë jam organizatori, kemi mbledhur më shumë se dy mijë euro për dy ditë për ta sjellë trupin. 3400 euro i ka thënë ai personi që ka firmën, i ka thënë dajës së tij se i do paret sa të mbërrijë në Shqipëri”, tha ai./BW