Policia ka arrestuar 8 persona, të cilët u konfliktuan fizikisht ditën e djeshme në Rrugën e Kombit.
Policia shoqëroi në ambientet e Policisë, 106 tifozë të ekipeve të futbollit “KF Tirana” dhe “KF Vllaznia”.
Prej tyre, janë vënë në pranga 8 tifozë dhe janë proceduar penalisht 20 të tjerë.
Kështu, në pranga kanë përfunduar: Klejvi Xeka, 20 vjeç, Klejdi Zyka, 18 vjeç, Renato Markgjoni, 18 vjeç, Ismail Asllani, 18 vjeç, Klodian Dumi, 38 vjeç, Rakip Lala, 18 vjeç, Fabjon Kurti, 18 vjeç dhe Frensi Shehi, 20 vjeç.
Njoftimi i Policisë:
U konfliktuan fizikisht, në Rrugën e Kombit, dhe dëmtuan autobusët me të cilët udhëtonin, shoqërohen në ambientet e Policisë, 106 tifozë të ekipeve të futbollit “KF Tirana” dhe “KF Vllaznia”. Prej tyre, vihen në pranga 8 tifozë dhe procedohen penalisht 20 të tjerë.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ato të komisariateve në varësi të saj, sapo janë njoftuar se në Rrugën e Kombit, tifozët e 2 skuadrave të futbollit në vendin tonë, po konfliktoheshin fizikisht, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të 106 tifozëve (nga të dyja ekipet) të përfshirë në konflikt.
Në vijim të veprimeve procedurale për paligjshmëritë e kryera (konflikt fizik dhe dëmtim të autubusëve me të cilët udhëtonin), u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. X., 20 vjeç, K. Z.,18 vjeç, R. M., 18 vjeç, I. A., 18 vjeç, K. D., 38 vjeç, R. L., 18 vjeç, F. K., 18 vjeç dhe F. Sh., 20 vjeç.
Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 20 tifozë të tjerë, nga të dyja ekipet. Ndërkaq, tifozët e tjerë të shoqëruar, në përfundim të veprimeve procedurale, janë lënë të lirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkaterrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.
j.l./ ABC24.AL