Ka mbërritur në Shqipëri përgjigjja nga shteti grek ku i kërkohej informacion zyrtar për një dënim të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari i cili nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Mësohet se informacioni i ardhur nga shteti helen ka konfirmuar dënimin me 4 muaj burgim të Hajdarit, i cili është konvertuar në gjobë në vlerën e 1500 dhramive nga Gjykata e Janinës, në vitin 1999 për kalim të paligjshëm të kufirit.
Prokuroria e Përgjithshme ka nisur informacion të detajuar përfshirë edhe vendimin e Gjykatës së Janinës në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve i cili pritet të mblidhet në një seancë publike të martën e ardhshme për të diskutuar rreth çështjes në fjalë.
Vetë Hajdari, përveçse nuk e ka pranuar të ketë patur dijeni mbi dënimin, e konsideroi çështjen si administrative dhe se nuk e pengon për të kandiduar dhe zgjedhur në krye të Bashkisë së Kuçovës me argumentin se nuk përbën elementet e deklarimit të detyrueshëm.
Por në fakt ndryshe thotë informacioni i ardhur nga Greqia ku theksohet se Hajdari ishte i pranishëm në shpalljen e vendimit që përcakonte përveç dënimit edhe dëbimin e menjëhershëm të tij nga Greqia.
Hajdari rezulton nën hetim edhe nga SPAK për akuzën e “Falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit” por edhe për një kallëzim nga Lefter Maliqi që kandidoi kundër tij në zgjedhje dhe që e akuzon për një sërë shkeljesh para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në Kuçovë.
j.l./ ABC24.AL