Nuk konsiderohet mister që Angel Di Maria ka një ëndërr: ta përfundojë karrierën e tij te Rosario Central. Ky është vendi ku filloi gjithçka dhe ku gjithçka, sipas të gjitha gjasave, është e destinuar të përfundojë. Ëndërr e përbashkët, sepse të njëjtin synim ka edhe klubi rosarino.
Jo vetëm kaq: kontaktet për rikthimin e lojtarit të Juventusit, në planet e Central dhe Di Maria, kanë nisur tashmë dhe janë duke u zhvilluar. Këtë e konfirmon Miguel Angel Russo, pasardhësi i Carlos Tevez në pankinën e “Canalla”.
“Ne jemi në kontakt me Di Maria, – janë fjalët e ish-trajnerit, ndër të tjera, të Boca Juniors. – Nëse ai vjen, ne duhet t’i mundësojmë që gjejë një ekip konkurrues. Herët a vonë ai do të kthehet, jam i sigurt.
Ne jemi shumë të lumtur për Botërorin e tij. Dialogu vazhdon. E dimë se duhet të ndërtojmë një strukturë të mirë ekipore në mënyrë që ai të vijë dhe ta përfundojë karrierën në Central. Di Maria e meriton për gjithçka që ka bërë”.
Me pak fjalë, besimi te Rosario verdheblu nuk mungon. “Ne duhet të përpiqemi, – vazhdoi Russo. – Këto gjëra ndodhin shpesh në futbollin argjentinas. Me të gjithë lojtarët e rinj që Centrali zbulon dhe më pas shet, ne duhet të jemi të mirë për ta rikthyer atë këtu. Mund të bëhet”.
Kontrata e Di Marias me Juventusin, siç dihet, është vetëm për një vit, deri 30 qershorin e ardhshëm. Vullneti i “Fideo”, për më tepër, ka qenë gjithmonë i qartë: të luajë një sezon të fundit në Evropë dhe më pas të kthehet në Rosario Central, klubi nga i cili u largua shumë vite më parë për të nisur aventurën me Benfikën.
I kthyer nga një problem në kyçin e këmbës që e detyroi të humbasë ndeshjen jashtë fushe ndaj Cremonese, ndërkohë, Di Maria është vënë në dispozicion të Allegrit në kuadër të ndeshjes së planifikuar për të dielën kundër Udinese. Tani për tani, tregu mund të presë. Por Rosario dridhet nga mendimi i kthimit të tij në shtëpi.