Ka një lloj skepticizmi për emërimin në krye të Kombëtares shqiptare të brazilianit Silvinjo. Eksperiencat e tij si trajner i parë kanë qenë të shkurtra, megjithatë nuk mund të paragjykohet ende pa e nisur punën.
Braziliani ka dhënë sinjalin e parë se aventurën në krye të Shqipërisë e ka marrë shumë seriozisht. Ai e sheh si një sfidë të madhe profesionale. Silvinjo ka vendosur të jetëjoë në Shqipëri për sa kohë do të jetë trajner i Shqipërisë, ndryshe nga paraardhësit e tij. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me ndihmësit e tij Zabaleta dhe Doriva. Një fakt që tregon në një farë mënyre edhe ambiciet e trajnerit të ri kuqezi.
Prezantimi do të bëhet ditën e hënë, kur do të mësohen edhe më shumë detaje për kontratën e trajnerit. Megjithatë, flitet se ai ka pranuar bashkëpunimin me kusht për 1.1 milionë euro. Kushti është kualifikimi i Shqipërisë në Euro 2024, ndaj dhe braziliani ka vendosur të jetë në terren çdo ditë dhe jo të marrë informacion nga interneti.
Në një situatë të tillë, nga stafi i mëparshëm kuqezi do të largohet ish-sulmuesi Hamdi Salihi, pasi ai jeton në SHBA dhe nuk mund të qëndrojë gjithë kohën në Shqipëri. Mbetet për t’u parë pozicioni i Ervin Bulkut dhe Ilir Bozhiqit.
Silvinjo do të debutuojë në stolin e Kombëtares shqiptare në sfidën ndaj Polonisë, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, por më parë do të ketë edhe një miqësore, që do t’i shërbejë atij për të njohur më mirë grupin.
Aktualisht, gjendja nuk është ajo më e mira, sepse disa lojtarë të rëndësishëm janë dëmtuar dhe shumë të tjerë nuk po luajnë titullarë me klubet e tyre. Silvinjon e pret një punë e madhe.
a.m/dita