Testet për diagnostikimin e Hepatitit B

0
Gjigandi

Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë, potencialisht kërcënues për jetën, që shkaktohet nga virusi i me të njëjtin emër, dhe që mund të shkaktojë sëmundje akute dhe kronike. Hepatiti B është një problem madhor global shëndetësor dhe lloji më i rëndë i hepatitit viral. Ai mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë, dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë. Kanceri i mëlçisë është pothuaj gjithmonë fatal, dhe shpesh zhvillohet te persona që janë në moshën më produktive dhe që kanë përgjegjësi familjare.

Nëse një person është i infektuar, kjo mund të konstatohet vetëm nëpërmjet bërjes së testit të gjakut. Një numër testesh janë në dispozicion për të diagnostikuar personat me hepatit B. Por, për fat të keq, një pjesë e njerëzve nuk e dinë që janë të infektuar sepse nuk kanë shenja të dukshme. Kur ata fillojnë të kenë shenja, dëmtimet kanë përparuar, çka më pas e bën edhe më të vështirë trajtimin.

Virusi i këtij hepatitit transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, me spermën apo lëngun vaginal të një personi të infektuar. Mënyrat e transmetimit janë të njëjta si për virusin HIV, por virusi i hepatitit B është 50 deri në 100 herë më infektues. Ndryshe nga virusi HIV, virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion nëse hyn në trupin e një personi i cili nuk është i mbrojtur nga vaksina. Çdo njeri që bie në kontakt me gjakun apo lëngje të tjera të trupit të një personi të infektuar me virusin e hepatitit B, është i rrezikuar të infektohet.

Autoritetet e shëndetit publik bëjnë me dije se hepatiti B nuk përhapet nëpërmjet kontaktit të përditshëm, si: puthja, përqafimi, kollitja, teshtitja, kapja apo shtërngimi i duarve, ose përdorimi i përbashkët i enëve të kuzhinës. Virusi i hepatitit B nuk përhapet as nga ushqimi apo uji i kontaminuar, dhe nuk mund të përhapet rastësisht në vendin e punës.

Periudha e inkubacionit të hepatitit B është mesatarisht 75 ditë, por mund të variojë nga 1 deri 6 muaj. Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës të fshehur të infeksionit. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përzjera, të vjella dhe dhimbje barku. Virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë apo kancer të mëlçisë. Gjasat që infeksioni me virusin e hepatitit B të bëhet kronik, varet nga mosha në të cilën një person infektohet. Fëmijët e vegjël të cilët infektohen me virusin e hepatitit B kanë më shumë gjasa për të zhvilluar infeksione kronike.

RonaTyra

Përveç vaksinës, e cila ka një siguri dhe efektivitet të lartë, zbatimi i strategjive të tjera të sigurisë së gjakut, duke përfshirë sigurimin e testimit të të gjithë gjakut të dhuruar dhe komponentëve të tij të përdorur për transfuzion, mund të parandalojë transmetimin e virusit të hepatitit B. Po ashtu edhe praktikat e injeksioneve të sigurta, duke eliminuar injeksionet e panevojshme dhe të pasigurta, mund të jenë strategji efektive për t’u mbrojtur kundër transmetimit të virusit të hepatitit B. Gjithashtu, praktikat më të sigurta seksuale, përfshirë minimizimin e numrit të partnerëve dhe përdorimin e masave mbrojtëse/prezervativë mbrojnë kundër transmetimit të virusit të hepatitit B.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu