Të paktën 46 mijë persona kanë vdekur në shtetin turk dhe sirian pas tërmeteve më 6 shkurt, ndërsa ende dy vendet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se sa është numri i personave që rezultojnë të zhdukur.
Në një nga përpjekjet e fundit për të nxjerrë njerëz të gjallë nga gërmadhat, 13 ditë pas tërmetit, ekipet po pastronin rrënojat në Antakya. “Askush nuk është gjallë. Unë nuk mendoj se ka më njerëz që mund të shpëtojmë”, tha Mujdat Erdogan, anëtar i AFAD-it, me lot në sy.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 26 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare në të gjithë Turqinë dhe Sirinë.
Ndërkohë ditën e djeshme Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka vizituar Turqinë pas tërmeteve të dyfishta të 6 shkurtit në vend që prekën gjithashtu Sirinë veriore. Ai premtoi 100 milionë dollarë të tjera ndihmë për të ndihmuar rajonin.
“Kjo do të jetë një përpjekje afatgjatë,” tha Blinken në bazën ajrore Incirlik, një strukturë e përbashkët amerikano-turke që ka koordinuar shpërndarjen e ndihmës për fatkeqësitë, pasi bëri një turne me helikopter në një nga provincat më të prekura të dielën.
“Kur të shihni shkallën e dëmit, numrin e ndërtesave, numrin e apartamenteve, numrin e shtëpive që janë shkatërruar, do të duhet një përpjekje masive për t’u rindërtuar,” tha Blinken.