Sulmi kibernetik iranian ndaj Shqipërisë u përballua nga Microsoft në bashkëpunim me FBI amerikane.
Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama i cili e ka pohuar gjatë fjalës së sotme në forumin e Davosit ku po merr pjesë.
I pyetur konkretisht për sulmet kibernetike Rama tha se rreziku nuk është larguar.
“Infrastruktura kritike është në rrezik. Jemi ende nën sulm. Praktikisht çdo ditë. Është shumë sfilitëse, e frikshme. Dhe disi pamë anën tjetër të këtij bekimi të teknologjisë, që është mallkimi i teknologjisë”, tha Rama.
Nisur nga kjo, Rama deklaroi se ndërtimi i mburojës kibernetike kërkon kohë dhe mbi të gjitha shumë fonde.
“ Po të pyesësh çdo kryeministër në botë se çfarë mendon për kostot, do të thotë që ndjen dhimbje. Ndaj nuk është një pyetje shumë e mirë, por do përpiqem t’i mbijetoj dhimbjes. Është ndryshe kur investon për të bërë diçka, sepse njerëzit do ta shohin dhe do të të mbështesin; Është ndryshe kur investon për të mos lejuar diçka të ndodhë. Njerëzit do thonë, nga çfarë po e mbron, nuk ekziston”, u shpreh Rama.
Panelistët arritën në konkluzionin se hakerat do të jenë gjithmonë një hap përpara në luftën kibernetike, por me anë të bashkëpunimit midis qeverive dhe kompanive, dëmi i tyre mund të kufizohet.