Stuhia e dëborës që përfshiu juglindjen ka rikthyer bllokimet dhe vështirësitë e dimrit në rrugë. Kamionët janë ndaluar të lëvizin në disa akse kryesore të juglindjes dhe nuk lejohen të kalojnë drejt Greqisë përmes Kapshticës. Shumë fshatra malore në vend janë bllokuar dhe vuajnë mungesën e energjisë elektrike.
Juglindja është përfshirë nga reshje intensive dëborë duke krijuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve, ndërsa zona malore po shkojnë drejt bllokimit!
Për të shmangur situatat kaotike, mjetet e tonazhit të rëndë janë ndaluar të qarkullojnë në disa akse kryesore.
Policia kufitare e Kapshticës se kamionet nuk do të lejohen të kalojnë në drejtim të Greqisë deri në njoftim të dytë.
Lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë është ndaluar gjithashtu edhe në akset Qafë Thanë-Lin-Pogradec; Qafë Thanë-Përrenjas-Elbasan.
Rrugët nacionale janë të hapura, por në disa segmente si Qafë Qarr, Qafë Plloçë dhe Qafë Thanë lëvizja e mjeteve bëhet me zinxhirë ose goma dimërore.
Trashësia e dëborës raportohet mbi 50 cm në rrugën e Dardhës dhe Shtyllë, ndërsa fshati Panarit, ashtu si zona të tjera të thella në Devoll e Pogradec janë bllokuar.
Në qarkun e Dibrës, dëbora arrin deri në 30 cm në njësitë administrative ku janë shfaqur edhe problematika.
Në Rajonin Verior reshje dëbore pati në akset Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Ura e Zapodit, Qafë Mali-Fierzë, Kuben-Vasije, Qafë Qelë-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin.
Në akset Hani i Hotit-Tamarë dhe Dedaj-Razëm-Bogë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe Malin e Dajtit e zona të tjera malore të Tiranës sikurse në qarkun e Elbasanit, ku disa akse kalohen me zinxhirë.
Si rrallë herë, dëbora zbardhi edhe Llogaranë.
Shumë fshatra nga jugu në veri janë pa energji elektrike, për shkak se stuhia e dëborës dhe era e fortë kanë dëmtuar rrjetin e shpërndarjes.