Studimet “Bachelor”, tarifat vjetore për 36 programet e Universitetit të Tiranës

0
Gjigandi

Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka konfirmuar tarifat vjetore të shkollimit për të gjithë studentët që aktualisht janë duke ndjekur programet e ciklit të parë të studimeve “Bachelor”, si dhe në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë për vitin akademik 2022-2023.

Referuar tarifave të përcaktuara, kostoja që studentët duhet të shlyejnë për ndjekjen e këtij viti akademik, në programet e ciklit të parë varion nga 25,000 lekë, deri në 40,000 për degët si program i parë. Ndërsa për programet e dyta të studimit të po këtij cikli, tarifat janë pak më të larta. Kështu, për studentët e pranuar në një program të dytë studimi të nivelut “Bachelor”, ndërkohë që në rastet kur ndiqen si program i dytë tarifat variojnë nga 50,000, deri në80 mijë lekë. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë tarifën vjetore të shkollimit që duhet të shlyejnë të gjithë studentët që ndjekin studimet në të 36 programet e fakulteteve që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë publik. Tarifat jepen të detajuara për kandidatët që ndjekin studimet në këtë cikël, si program i parë studimi, si dhe ata që ndjekin një program të dytë studimi në degët e Fakultetit tëEkonomisë, Drejtësisë, Histori-Filologjisë, Shkencave të Natyrës, Shkencave Sociale, Gjuhëve të Huaja, si dhe filialit të Sarandës.

“Individët, që kanë përfunduar një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi të të njëjtit cikël. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen kriteret që duhet të plotësohen për t’u pranuar në një program të dytë studimi”, përcaktohet në ligjin për arsimin e lartë.

Sipas vendimit për miratimin paraprak të tarifave vjetore të shkollimit, studentët brenda kohëzgjatjes normale të programit të studimeve do t’i nënshtrohen vetëm një tarife vjetore shkollimi, që është ajo e vitit përkatës që janë duke ndjekur. Studentët në programet e ciklit të parë do të shlyejnë tarifën e shkollimit për të tri vitet akademike, të ndarë në vite, aq sa është edhe kohëzgjatja e programit mësimor. Ndërsa studentët që janë duke ndjekur programin e integruar të studimeve të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë, do të paguajnë tarifë shkollimi për pesë vite akademike, aq sa është edhe kohëzgjatja e këtyre programeve të studimit.

Studimet e ciklit të parë “Bachelor”

RonaTyra

Në ligjin për arsimin e lartë, përcaktohet se programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimit të ciklit të parë në Universitetin e Tiranës realizohen, si rregull, me 180 kredite europiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike.Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e Universitetit tëTiranës për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilat shpallen nga institucioni i arsimit të lartë dhe vihen në dispozicion të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin. Në fillim të vitit akademik, institucionet e arsimit të lartë dërgojnë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore listën e studentëve të regjistruar.

Ndërsa programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë realizohen me 300 kredite, për një kohëzgjatje prej jo më pak se 5 vite akademike. Personat që kanë kryer studimet e integruara në drejtësi, ose në një program të ciklit të dytë të studimeve, të barasvlershëm me to, mund të konkurrojnë për t’u përgatitur si gjyqtarë, prokurorë, avokatë,noterë, avokatë të shtetit, përmbarues privatë ose shtetërorë, si dhe juristë në administratën shtetërore, qendrore dhe vendore, pasi të kenë kryer provimin e shtetit në drejtësi. Provimi i shtetit organizohet nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe Ministria e Drejtësisë, sipas rregullave dhe procedurave, të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

Përfundimi i studimeve

Ligji parashikon që kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program, nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet. Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.

Po sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë, programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë ofrohen normalisht në gjuhën shqipe. Këto programe mund të ofrohen dhe në një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Europian, të miratuar në aktin përkatës të hapjes së programit të studimit. Përjashtohen nga ky rregull programet e përbashkëta të studimit të ofruara me institucione të huaja të arsimit të lartë dhe programet e studimit që kanë për objekt mësimin e gjuhëve të huaja. Në rastin e programeve të studimit që ofrohen në gjuhë të huaj, studentët duhet të dëshmojnë njohjen e gjuhës së huaj përkatëse në nivelin e nevojshëm për të kryer studime të larta, të përcaktuar nga institucioni i arsimit të lartë, ofrues i programit të studimit.

Transferimi i studimeve

Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë mundësi për njohjen e krediteve dhe transferimin e studimeve, midis programeve të të njëjtit cikël studimi, brenda të njëjtit institucion apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë. Periudhat e studimit dhe detyrimet e programeve të studimit, të shlyera në institucione të tjera të vendit ose të huaja, njihen dhe njësohen, nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin, në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm.

Njohja kryhet nga institucioni i arsimit të lartë, pranë të cilit është paraqitur kërkesa për vazhdimin e studimeve. Transferimet lejohen brenda të njëjtit cikël studimi e në fusha studimi të njëjta ose të përafërta dhe vetëm në fillim të vitit akademik. Kriteret e procedurat e njohjes së krediteve dhe transferimi i studimeve përcaktohen në rregulloren e njësisë bazë të institucionit të arsimit të lartë, në përputhje me ligjin e arsimit të lartë. Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të fituara nga një student që transferohet, më qëllim vazhdimin e studimeve në institucionin pritës të arsimit të lartë, i takon komisionit përkatës, të ngritur nga njësia bazë e institucionit të arsimit tëlartë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu