Kryeministri Edi Rama u ka propozuar liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian që një nga shtetet të cilat kanë hapur negociatat me bllokun evropian të ketë statusin e vëzhguesit në raport me Evropën.
Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, Rama deklaroi se nga procesi i hapjes së negociatave deri te ai i anëtarësimit do të trajtoheshin të gjitha çështjet që lidhin Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Megjithëse kryeministri nuk dha detaje mbi propozimin, ai theksoi se kjo nismë do të rriste unitetin politik mes vendeve të BE-së dhe nga ana tjetër do të përmirësonte qeverisjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“A do të ishte më pragmatike që të riformësonim rrugëtimin nga bisedimet e anëtarësimit deri në anëtarësim dhe të mos nxitojmë duke vendosur afate anëtarësimi të cilat mund të mos dakordësohen apo t’u përmbahen 27 anëtarëve apo edhe të kundërshtojnë parimet e meritës së integrimit të plotë.
A do të ishte më e drejtë që të trajtohej inercia e kësaj ndasie duke futur statusin e vëzhguesit të vendeve që janë në transit nga çelja e negociatave deri te anëtarësimi. Ky status i ndërmjetëm do të jepte disa privilegje natyrisht pa të drejtë vote.
Do t’u jepte përfitime të gjitha palëve duke rritur edhe unitetin politik mes Evropës demokratike dhe rritjes së qeverisjes demokratike në Ballkanin Perëndimor. Do të mund të ndanim më mirë barrën sfiduese që shtrihen para nesh”, u shpreh Rama.
j.l./ ABC24.AL