Jeta, një vuajtje e bukur apo një bukuri që vuan…

0
Gjigandi

Eli Kanina

 

Më kishte mbetur në mendje ajo gazetarja e ftuar në emisionin e E. Çaushollit, “Histori dashurie”, që i kish propozuar vetë bashkëshortit të saj. Hidh e prit me njëri tjetrin, ta thuash ti a ta them unë, më dukej kaq e veçantë, jeta e tyre përmes kësaj dashurie.

Një dashuri e rrëfyer bukur!

Një bukuri si ajo!

RonaTyra

Me sytë si gaca zjarri që digjeshin nga dëshira për Gacin e saj, dhe buzëqeshjen e shtrirë njëqind e tetë dhjetë gradë mbi fytyrën e këndshme, kjo ishte shkrimtarja Raimonda Belli Gjençaj.

Mikeshat e përbashkëta,  N. Lako dhe M. Lalaj, ma kishin përmendur me respekt miken e tyre Mondën, për letërsinë e veçantë, për njeriun e bukur brenda saj, po aq sa edhe në prezencë. Kështu, i lexoja me kënaqësi skicat e tregimet e postuar prej saj në rrjetet sociale,  por nuk më kish rastisur ta takoja në ndonjë aktivitet letrar. Prezantimi im me Mondën ndodhi në funeralin e të ndjerës M. Lalaj, dhe ishte një foto dhe një dialog i ngutur i çastit, si një premtim për të biseduar gjatë e gjerë, një herë tjetër.

***

Pasi mora në dorë librin “Koha në mes” nisa të lexoj, e ndikuar nga aq sa dija për autoren, dhe me portretin e saj në mendje, sidomos sytë prej xixëllonje. Nuk u gabova, kur i dola në fund librit, dhe kuptova se, pavarësisht historisë dhe fatit të personazheve, në thelb ishte po ajo dashuri që kisha parë në emision, dikur. Ishte aty mes rreshtave, edhe pse nuk mbante emrin e Mondës dhe Gacit, por të Nakos dhe Perihanit, të Nastës dhe Ludovikut, të Stelës dhe Davidit, pse jo edhe tek Leoni e Nina. Ndoshta jo e përngjarë në historitë e tyre, por për thellësinë dhe jetëgjatësinë e saj, duke i rezistuar kohës.Jo gjithmonë sendërgjohet me fjalë, historia e një dashurie, apo e një familjeje, në të gjitha kohët. Por ka foto, libra, detaje, sende e ngjarje, një arkivë familjare, me letra e çikërrima, që e dëshmojnë se ka udhëtuar në kohë, që e ballafaqon me pasardhësit, jo thjesht si nostalgji, por duke cekur jetë njerëzish.

Ndoshta është dashuria për jetën, ajo universalja, që e ka motivuar autoren në shkrimin e këtij romani, me personazhe të prezantuar, mes tyre edhe me emra të vërtetë, me copëza jete të jetuara apo dhe të stisura nga të tjerët. Me një organizim të çuditshëm të kohëve, ndarë si kode të një jete të caktuar, që përkojnë me fazat e jetës si vazhdimësi, por edhe me periudha historike të shoqërisë shqiptare. Koha është ajo që i jep peshën gjithçkaje, edhe pse të gjitha fazat e jetës, rëndojnë njësoj, dhembin e gëzojnë njësoj. Mes dashurisë dhe jetës, ajo që mbetet, është “Koha në mes”, siç nënkuptohet që në titull të romanit. Shkruar me një stil tërheqës, me një gjuhë letrare të saktë si edhe me një leksik të pasur korçar, romani shumfaqësh, përpihet dhe të përpin me historitë e trajtuara, shumëplanëshe, ku për aftësinë e shkrimtares dhe mënyrën si të përfshin në lexim, të gjithë gjenden e përballen, me diçka që u përngjan tek vetja, tek familja, tek fisi, tek mëhalla, tek qyteti i tyre, apo tek një fazë e jetës, ku shkon e vjen dhe mbetet  KOHA NË MES .

KULTURA familjare dhe VIRTYTI njerëzor janë kryefjala e romanit, që na prezantohen që në faqet e para të leximit të tij. Fjala e Albert Einstein  “Përpiqu të mos bëhesh një njeri i suksesit, por një njeri i vlerave” duket se është deviza e dinastisë prek katër brezash të familjes, ku marrin udhë ngjarjet e librit. Me vuajtje e me goditje nga regjimi, me konfiskim pasurie e shtëpie, me kurthe e prapaskena, me tmerre përgjimesh, burgosjesh, internimesh, me rrëzime e ringritje, me izolime apo arratisje, me gjithçka kaluan brez pas brezi ata njerëz, u mbajtën tek dashuria dhe nuk u thyen. U lënduan, e megjithatë vazhduan të përcjellin vlerat më të mira tek pasardhësit, mjeshtërinë e dashurinë për punën, shpirtin e artistit, kulturën e virtytet njerëzore, edukatën e urtësinë, mirësinë e  zgjuarsinë, dhe sidomos aftësinë për tu përshtatur e për të rezistuar. “Njeriu që ringrihet, është më i fortë se ai që nuk është rrëzuar” është një aforizëm nga C. Arenal.

DASHURIA e përshkruar në libër, na vjen herë e mençur e herë e marrë, herë e përllogaritur e herë  në kufijtë e absurdit, herë si kurth i helmët dhe herë si befasi e bukur, herë si fat i parathënë, herë si produkt rrethanash në favor apo disfavor, herë energjike e herë rraskapitëse, por gjithmonë dominuese, jetëgjatë dhe e fortë, vertikalisht dhe horizontalisht. Si mes çiftit, ashtu edhe nga prindërit tek fëmijët. Ashtu siç thotë D. Agolli “Marrëzia dhe mençuria flenë në një shtrat, puna është se cila zgjohet më herët”. Diku, dikur, ndodh edhe marrosja, që e gjejmë edhe në roman. Stela Floqi, nuk foli gjithë jetën me familjen e saj, për zgjedhjen që bëri, por kjo nuk e cënoi dashurinë dhe familjen e saj. Edhe Nina Darova pati të njëjtën fat me familjen e origjinës, por e përjetoi si  dramë, duke kaluar në krizë mendore, krizë në çift deri dhe krizë familjare.

Mirësia e dashuria e Davidit dhe Stelës, është mbresëlënëse. Dhe jo vetëm mes tyre e me miqtë por edhe me armiqtë e të ligjtë, pavarësisht gjithçkaje kaluan së bashku, sa herë u sfiduan e goditën, ata nuk u hidhëruan, dhe më kujtojnë një shprehje të Che Guevarës “Ashpërsitë e kohës nuk duhet të na bëjnë të humbasim butësinë e zemrës”.

Autorja duket se ia di mirë vlerën dashurisë, por ia rrit edhe më tepër vlerën, kur e sjell dashurinë tek lexuesi, në formën më universale, si ortake të mjeshtrisë, si pasion shpirti, si balsam plagësh e mungesash, si inisiativë për ndryshim, si nevojë e si sfidë, si aleate shpirtrash, si thyerje tabush, si zgjidhje e detyruar, si faturë turpi apo nderimi. Si pika më e dobët e njeriut por edhe më e fortë e një familjeje, si pushteti më i fortë se të gjitha pushtetet e përmbi qeveritë.

Nga Simo Lëkursi(rregjës lëkurësh) tek Nako Bakllamaja(muzikant), tek Ludovik Terziu(rrobaqepës), tek Davidi mësues, tek Leoni inxhinier ushtarak, shohim për shkak të rrethanave,  një transformim të njerëzve, por jo të dashurisë, ashtu si vetë anatomia e fizionomia e shoqërisë tonë, nga regjimet e kaluar deri në ditët e sotme.

***

METAMORFOZA e mendësisë njerëzore për shkak të rrethanave të jetës, gjendjes ekonomike, presioneve politike, nuk e ndryshon, as e zbeh  dashurinë e mirësinë, aty ku ajo është e rrënjosur nga kultura e edukata familjre. Dashuria mbetet njësoj, pavarsisht ngërçeve që pëson, ajo mund të sakrifikohet, të mohohet, të izolohet, të tradhëtohet, të fshihet apo të shpallet, por mbetet dashuri, dhe njeriu bën përpara pavarësisht kësaj.. Një shembull në sfond, është dashuria adoleshente e Leonit, Valentina(Titinka)  që dikur e përdori Leonin, me “taksën e gegës” duke e futur në kurth dhe turpëruar, dhe në një tjetër kohë, i del përpara Leonit, e katandisur si mos më keq, e divorcuar dhe me fëmijë në krah e përdore, por Leoni nuk i mbajti mëri përkundrazi i qerasi vogëlushët me akullore, duke i lënë një grusht kartmonedhash në dorë, si për një grua në nevojë.

Interesant na vjen transformimi i Nina Darovës në tjetër njeri, nga një vajzë lozonjare e sfiduese, në një nuse të shtruar e të mirkuptuar, dhe më pas në një grua interesash, plot teka e ambicie egoiste. Nina ishte e bija e kryetarit të koperativës Fredi Darova, një familje komunistësh, dhe me ndikim në krahinën ku Leoni u transferua për shkak të detyrës. Arratisja e vëllezërve të Ninës, e ndryshuan kryekëput jetesën e familjes Darova, por ndikoi totalisht edhe jetën e Ninës. Ndërsa tek “Metamorfoza” e F.Kafkës, ndryshimi i Gregor Zamzës në kandërr, ndodh brenda ditës, si një metamorfozë e ngjeshur në kohë, ndryshimi gradual i Ninës shtrihet përgjatë dy regjimeve. Kjo stërzgjatje në kohë, e presionit dhe izolimit, e dëmtoi shëndetin mendor të Ninës dhe kiminë mes çiftit. Por pas gjithë andrrallave, ajo që triumfoi është dashuria.

SHËNDETI MENDOR i përkeqësuar me kriza depresive i Ninës, mua si mjeke, më sjell në vëmendje, sa e sa njerëz në regjimin e kaluar por edhe në kohët e sotme, që kanë patur probleme të shëndetit mendor, dhe i kanë fshehur, për një arsye a një tjetër, nuk i kanë trajtuar. Kështu kanë përfunduar  të divorcuar, në çmendinë dhe të stigmatizuar nga shoqëria, të vetmuar, të degraduar deri në vendimin për suicid. Ndryshe trajtohet në roman, gjendja e Ninës, dhe kjo eksperiencë brilante ia vlen të interpretohet si një praktikë që i duhet shoqërisë shqiptare, ku përgjithësisht mungon komunikimi dhe pranimi pa kushte, për raste të tilla. Pavarësisht ligjeve, veprimtarisë së institucioneve, të shoqatave që përpiqen, dhe shpesh nuk ia dalin. Kush jemi ne, që duhet të gjykojmë? Nëse jemi aty, të ndihim sa mundim dhe jo të flakim pa shkak…

Kjo shprehet në roman, me ndihmën, ngrohtësinë, durimin e mirëkuptimin që Nina kish në familje, në kohë krizash, me dhembshurinë e Stelës, butësinë e Davidit, durimin e Leonit. Ata merreshin me vogëlushet e me shtëpinë, dhe përpiqeshin të ishin sa më pak kritikë ndaj Ninës grua, bashkëshorte e mama. Shëndeti mendor i keqkuptuar në shoqërinë shqiptare, si problem i atyre që lindin me një sëmundje mendore, në fakt duhet të njihet si një pjesë e shëndetit tonë në tërësi, po aq në rrisk, nga gjithçka që na rrethon e na bie për hise. As nuk duhet gjykuar, as nuk duhet neglizhuar, por duhet pranuar e dëgjuar, një njeri me probleme të shëndetit mendor, si diçka që na prek edhe ne, edhe kur nuk na përket. Kështu çdo njeri normal, në një rrethanë, në një traumë, nën një presion të shtuar prej angazhimesh, mund të gjendet papritmas i pasigurtë tek vetja,  me probleme të shëndetit mendor. Prandaj duhet të jemi empatikë, të ndjeshëm e mendjehapur, të informuar, për të ndihmuar dikë që ka nevojë për një vesh për ta dëgjuar, apo një sup për tu mbështetur, një dorë për tu mbajtur, pse jo edhe një fjalë të mirë a këshillë nëse i duhet, për ta orientuar apo për ta referuar në një shërbim të posaçëm. Por mbi të gjitha duhet të kemi kurajon ne vetë, të pranojmë problemin dhe të kërkojmë ndihmë, të mos e ndrydhim veten nën vete, për shkak të turpit se ç’do thonë bota. Jo të izolohesh, por të flasësh për atë që vuan, është ndihma dhe nderi që i bën vetes…përpara pasqyrës, nuk ka diagnozë!

Të shprehurit e vetes, komunikimi me të tjerët, e ndihmon dhe stabilizon shëndetin mendor, dhe ekuilibri në jetë vendoset më lehtë, kur jemi të pranuar dhe mirkuptuar, nga njerëzit e dashur dhe shoqëria. Mbi të gjitha duhet besimi tek vetja se mund t’ia dalësh, se ti je më e fortë se rrethanat që të kushtëzojnë.

Ndonjëherë edhe të qenurit e fortë, nuk mjafton. Një thënie e Lisandrit “Nëse lëkura e luanit nuk mjafton, duhet shtuar lëkurë dhelpre” shpjegon mbijetesën e Terzinjve, në të gjitha sfidat që jeta u solli, dhe më shumë se të fortë, ata u treguan të duruar e të mençur për t’iu përshtatur kushteve, që shpesh në disfavor, i lënduan, por nuk i mundën.

Mençuria e tyre ishte aset i lindur, i trashëguar, por dhe i shkollimit të tyre ekselent, jashtë apo brenda Shqipërisë, mjaf tu jepej mundësia. Edhe i asaj biblioteke të madhe familjare që e shtonin dhe e trashëgonin duke e ruajtur si sytë e ballit, edhe kur u katandisën për të jetuar në bodrumin e shtëpisë… Kjo bibliotekë, si një arkivë e pasur, që fund e krye romanit, i përmendet lexuesit, si për ta kujtuar, se prej saj ndoshta, ndriçohet e merr udhë romani, me këtë familje mes librash.

Të rritur mes librash, leximi ishte po aq i natyrshëm sa edhe ushqyerja, në atë familje të pasur. Ishte kjo pasuri e kjo kulturë që i diferenconte nga familjet e tjera, dhe bëhej shkak për tu goditur nga ziliqarët, servilët e pushtetit dhe analfabetikët shpirtligj si rasti i Sybi Zaimit, dinak dhe të poshtër.

Është kjo kulturë e zemërgjerësi, që i bënte tolerantë, që i ndihmoi të rezistojnë, herë si alternativë e shoqërisë që i donte dhe respektonte, herë si nevojë e pushtetit, që i përdorte njerëzit e ditur e të pasur derisa ti shtrydhte e ti flakte tej. Në të gjitha ulje-ngritjet, familja arriti të mbetet e bashkuar, ti gjendeshin njëri tjetrit, të mendonin për njëri tjetrin, të udhëtonin drejt njëri tjetrit, edhe më të fortë, edhe më të dashuruar.

Sepse kjo është jeta, jo vetëm në romanin realist të autores Raimonda Belli Gjençaj, por edhe ajo që ne jetojmë çdo ditë, me dashuri, dhembje, humbje e gëzime, me lumturi e lëndime.

Një vuajtje e bukur apo një bukuri që vuan!

Dhe nuk na mbetet shumë të zgjedhim, veç ashtu siç thotë Bob Marley:

“Të gjithë të lëndojnë gjatë jetës, ty të mbetet veç të vendosësh se për kë të vuash…”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu