Tre shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë spanjolle, pasi akuzohen se kultivonin drogë.
Agjentët e Policisë Kombëtare Spanjolle dhe të Policisë Bashkiake kontrolluan një objekt në Carrer Joan Monpeó, në lagjen Segle XX. Aty gjetën, siç dyshonin, një plantacion marihuane.
Mediat spanjolle raportojnë se plantacioni ilegal funksiononte 24 orë në ditë. Drita dhe ajrimi bëhej përmes lidhjeve të manipuluar nga rrjeti elektrik me fuqi 173 kW, ndërsa thuhet se konsumi i energjisë për këtë plantacion është i barabartë me atë të 433 shtëpive.
Shkelësit kishin hyrë në rrjet përmes një tuneli të gërmuar nga brenda objektit deri në tubin e shpërndarjes poshtë trotuarit. Në fakt, ky konsum i lartë mund të jetë shkaku i mbingarkesës së rrjetit elektrik dhe rrjedhimisht i ndërprerjeve thuajse ditore të energjisë elektrike, që nga mesi i janarit që kanë pësuar rreth 160 banesa në lagjen Segle XX.