Rezultatet nga studimi që përfshin 50,000 gra sugjerojnë se djegia e drurit në soba apo oxhak rrit me 43% rrezikun e zhvillimit të kancerit të mushkërive tek gratë, krahasuar me ato që nuk përdorin ngrohje me dru.
Studimi zbuloi se njerëzit që përdornin ngrohje me dru më shumë se 30 ditë në vit kishin 68% rritje të rrezikut të zhvillimit të kancerit të mushkërive krahasuar me njerëzit e tjerë.
Rezultatet vijnë nga Organizata Sister Study i cili gjurmoi për 11 vjet shëndetin e 50,000 grave amerikane që kishin motra me kancer në gji.
“Sister Study u krijua për të kuptuar më mirë faktorët e rrezikut gjenetik dhe mjedisor për kancerin e gjirit, por ai gjithashtu analizoi edhe faktorët e tjerë,” thotë Suril Mehta nga Instituti i Shkencave të Shëndetit Mjedisor në SHBA.
Në mbarë botën, pirja e duhanit është faktori më i madh i rrezikut për kancerin e mushkërive, por jo i vetmi. Përveç të ardhurave dhe faktorëve të tjerë të stilit të jetesës, duket se edhe ngrohja me dru është një faktor rreziku.
Në tetor të vitit 2006, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin e klasifikoi tymin e drurit si kancerogjen për njerëzit. Një tjetër studim ndërkombëtar i vitit 2010 zbuloi rritje të rrezikut të kancerit të mushkërive tek njerëzit që përdornin ngrohje me dru dhe qymyr krahasuar me ata që nuk e përdornin.
“Studimi ynë ofron prova se edhe djegia e drurit nga sobat dhe oxhaqet mund të kontribuojë në kancerin e mushkërive”.
Profesoreshë Fay Johnston nga Instituti Amerikan për Kërkime Mjekësore tha se rezultatet e reja ofrojnë prova të forta të rrezikut në shtëpitë qëpërdorin ngrohjen me dru.
“Mesazhi për politikëbërësit dhe publikun është i qartë. Përdorimi i drurit nuk është i sigurt. Ndërhyrjet për të reduktuar ekspozimin duhet të jenë prioritet.”