Qytetarët shqiptarë janë të parët në Europë që i paguajnë më shtrenjtë interesat e mikrokredive, ose mbi 250% më shumë, kur ata marrin një të tillë pranë institucioneve jobankare të mikrofinancave.
Filiali i mikrokredisë “FINAL SHPK-ADCA-Micro Credit Albania”, me pronar Arben Meskutin dhe Olsi Ibron mbledh kreditë e këqija, duke ngritur tavanin e përfitimit jashtë çdo norme të paracaktuar nga Kodi civil dhe Banka e Shqipërisë. Konkretisht, rastin që morëm indicie për të investiguar kishte kamatëvonesa nga 70% e principalit në plot 530%.
Marrim si shembull vetëm një nga shumë rastet e zbuluar pranë filialit “Final”, në rrugën e ish-stacionit të trenit; Abdulla O. ka marrë kredi 1.5 milionë lekë dhe, pas disa vitesh, duhet të paguajë 8 milionë lekë.
Por, si ka mundësi një shifër kaq e lartë, rreth 6 milionë lekë diferencë, si kamatëvonesë?!Eksperti i ekonomisë, Pano Sako, shprehet se kamatëvonesa nuk duhet ta kalojë vlerën e principalit.
“Për sa i përket pjesës shtetërore, natyrisht, ka një praktikë tjetër, e cila përcaktohet nga disa ligje, në fakt, që vlera e kamatëvonesës nuk duhet të kalojë 70% të vlerës së principalit, pra nëse ti merr një gjobë 10 mijë lekë dhe e lë pa paguar, vlera e kamatëvonesës nuk mund të kalojë vlerën e 7 mijë lekëve. Pra, 7 mijë lekë është pjesa e kamatëvonesës, pjesa tjetër ecën pa kamatëvonesë, por kjo është vetëm për detyrimet që i ka një qytetar shtetit, ndërsa qytetari me qytetarin dhe privati me privatin është më e lirë, nuk është se ka ndonjë ndalesë,” u shpreh Soko.
Kohë më parë, “Priza.al” ka publikuar disa shkrime rreth këtij fenomeni dhe problematikës që po shqyrtohej nga Banka Qendrore, por duket se, me gjithë punën burokratike që bëri BSh, përsëri nuk arriti që ta disiplinojë këtë treg.
“Priza.al” asokohe mori informacione pranë Bankës Qendrore, prej nga mësoi se IFJB-të, me në krye “Fondin Besa”, që ka edhe peshën më të madhe në tregun e mikrokredive (sepse ka periudhën më të gjatë të aktivitetit në vend), operon po në të njëjtën formë mashtrimi, ku kreditë e marra kohë më parë ose të pamarra kurrë duhet që ta rishlyejnë shumën fillestare ose edhe më tepër, sepse kanë blerë dosjet e kredive të këqija.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e ABC24.al, sipas ligjit nr. 35/2016, “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi, pa autorizimin e ABC24.al në të kundërt, çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit nr. 35/2016.