Bashkia Vau Dejës ka hapur në mes të muajit tetor të këtij viti një tender me objekt “Shpenzime për udhëtim rrugor të anëtarëve të këshillit të bashkisë”. Sipas dokumenteve të paraqitura nga Agjencia e Prokurimit Publik, fondi limit i këtij tenderi ishte 2.350,000,00 lekë. Gjërat që në dukje nuk shkojnë me të nisin që në përpilimin e ofertës, e përfundojnë me arsyen e anullimit të tij.
Në dokumentin prej 95 faqesh të përgatitur nga bashkia, paraqitet gjithashtu se i gjithë tenderi është hapur për një udhëtim me autobus për 35 persona, në qytetin Split, Kroaci dhe një ndalesë në kthim në Dubrovnik, si dhe akomodimi në hotel për një natë në Split dhe një natë tjetër në Dubrovnik, ku duhet të ishin të përfshira të treja vaktet.
Pyetja që natyrshëm lind është “Pse po udhëtojnë këta funksionarë bashkie?”; duke qenë se në hartimin e ofertës nuk është bërë me dije arsyeja, na mbetet hapësirë të aludojmë. A është ky një shpërblim për festat e fundvitit pas punës së shkëlqyer të bërë nga bashkia Vau Dejës, apo po udhëtojnë për të marrë pjesë në ndonjë trajnim, i cili i kushtëzon qëndrimin për dy netë jashtë vendit?
Ndërsa nevoja për ciceron dhe ndihmë turistike të afron më shumë me një udhëtim i cili nuk lidhet me asnjë të mirë në funksion publik. Të shpresojmë se ky udhëtim do të kryhej si një motivim për punonjësit. Përveç dëfrimit të atyre që supozohen të jenë në shërbim të qytetit që janë qytetarët, që me taksat që i paguajnë bashkisë, do të paguajnë edhe udhëtimet e tyre, brenda e jashtë vendit, së bashku me vaktet e ushqimit.
Sipas dokumenteve të përgatitura nga autoriteti kontraktor (Bashkia Vau Dejës), kontrata do të përfundonte në fund të këtij viti kalendarik, ndërsa afati i fundit për paraqitjen e ofertave ishte vendosur data 27 tetor. Pra, anëtarët e këshillit të kësaj bashkie, do të shpenzonin 23 milionë lekë të vjetra për udhëtime përgjatë dy muajve. Mënyra sesi do të përzgjidhej fituesi i këtij tenderi do të ishte me procedurë të hapur dhe të thjeshtëzuar, në bazë të ofertës më të favorshme ekonomikisht. Mbase i gjithë fondi justifikohet me faktin se shërbimi i ciceronit dhe asistenca e turistëve (anëtarëve të këshillit bashkiak) është i kushtueshëm.
Pra bashkia përgatiti tenderin, bëri edhe planin e udhëtimit me detajet e ndalesave dhe ushqimit, por më pas i erdhi në mendje se nuk kishte më nevojë për këtë udhëtim ose edhe më keq, nuk e paguante dot atë. Ishte pikërisht kjo arsyeja e anulimit të këtij tenderi, së bashku me disa rrethana të paparashikueshme, të cilat nuk janë sqaruar nga ky autoritet. Mbase anëtarët e këshillit kanë shprehur dëshirën e një udhëtimi në një vend më të largët se Kroacia, pse jo me transport ajror këtë herë./ Priza.al
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*